Kriza tutje, Basha “tëhu”

POLITIKË


Në një kohë kur të gjithë ishin në pritje të kryetarit të PD-së Lulzim Basha për të folur rreth krizës politike që ka paralizuar vendin prej më shumë se 7 muajsh, ndodh krejt e kundërta. Asnjë fjalë për krizën, asnjë fjalë për dialogun dhe dhënien e ndonjë sinjali se mund të ketë një rrugë zgjidhje për ngërçin politik. Basha, i qetë në pamje dhe tonin e zërit të tij, doli në një deklaratë për mediat, duke folur me një gjuhë si të ishte Kryeministri i vendit, prezantoi ligje e programe që Partia Demokratike do të ndiqte sapo të vinte në pushtet (duke lënë të kuptohej se kjo do të ndodhte shumë shpejt).

Duke dënuar koncesionet e qeverisë me PPP-të, të cilat Basha i cilëson si afera korruptive, ai lajmëroi se do të kalojnë të gjitha në një proces auditimi dhe kontrolli. Madje Basha paralajmëroi se gjatë muajit shtator do të prezantohej edhe ligji që lufton krimin dhe pastrimin e parave. Ai tha se PD po punon me ekspertë të huaj për hartimin e një plani kombëtar për zhvillimin ekonomik dhe se do të organizojë një operacion dhe grup pune të posaçme për të gjurmuar paratë e vjedhura dhe të krimit.


“Në muajin shtator do të bëj të ditur në detaje planin tonë kombëtar kundër krimit dhe pastrimit të parave, i cili parashikon si hap të parë auditimin dhe hetimin e menjëhershëm pa asnjë përjashtim të të gjitha ndërtimeve dhe veprave publike të mbaruara, në proces apo të planifikuara. Ndërkohë, ka nisur hartimi i disa ligjeve për luftën kundër krimit dhe pastrimit të parave të krimit. Një paketë të tërë ligjore për deklarimin dhe kontrollin e aseteve të politikanëve dhe punonjësve publikë, e cila do të forcojë rregullat e deritanishme, e cila synon të pamundësojë investimin e të ardhurave nga krimi dhe korrupsioni në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë pa u hyrë gjemb në këmbë. Hetimi dhe auditimi do të ndjekë origjinën e parave të investuara si për ndërtimin e objekteve private, ashtu edhe për PPP-të apo koncesionet korruptive apo për blerjen e  pasurive brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ky hetim do të bëhet në bashkëpunim me shërbimet e specializuara ndërkomëbtare. Në këtë kuadër, Partia Demokratike ka marrë ekspertizë të huaj, të specializuar për hartimin e një programi të posaçëm për hetimin dhe rikuperimin e pasurive të tjerërsuara dhe të vjedhura te shqiptarëve. “- tha Basha

Në fakt një deklaratë e habitshme prej kreut të PD-së, të flasë për miratime ligjesh apo programe ekonomike, kur as nuk është më në parlament për t’i propozuar dhe votuar dhe as nuk ka asnjë lloj pushteti për t’i paraqitur ato për qytetarët. Madje këto programe nuk mundet dot t’i paraqes as si programe elektorale, pasi ai nuk është regjistruar në asnjë zgjedhje, as ato të 13 tetorit që presidenti Meta ia bëri si favor opozitës për të hyrë sërish në lojën politike dhe të shpëtonte PD nga vetasgjësimi (edhe pse kjo datë u rrëzua nga Kolegji Zgjedhor). Basha vijon të flasë për luftimin e krimit dhe zhvillimin ekonomik, por ende nuk ka në plan të zgjidhë çështjen kryesore për vendin, krizën politike dhe ofrimit të qytetarëve shqiptarë një stabilitet politik, ekonomik dhe mundësi zgjedhje në zgjedhjet e ardhshme. /realstory.al




Skip to toolbar