Dikur i detyronin, tani duan t’i pengojnë shqiptarët të votojnë…

Më të fundit


Nga Eduard Zaloshnja

Diku nga vitet ’80, e gdhiva një të shtunë, për të përfunduar një detyrë kursi në statistikë, që e kisha për zemër. Por qëlloi e shtuna e gabuar – të nesërmen zhvillohej votimi për deputetët e Kuvendit Popullor…


Për lexuesit që nuk i kanë provuar votimet para vitit 1990, vlen të shpjegohet se atëherë nuk vihej në diskutim se sa vota do të merrnin kandidatët e Frontit Demokratik – ata merrnin gjithnjë 99.99% të votave. E vetmja gjë që diskutohej atëherë ishte se cila qendër do ta mbyllte e para apo e dyta votimin (për të dalë të nesërmen në gazetën “Zëri i Popullit”).

I ndodhur nën trysninë e asaj gare haluçinante, kryetari i Frontit Demokratik të bllokut ku banoja, na trokiti në derë vetëm disa minuta pasi unë kisha përfunduar detyrën e kursit, dhe sapo më kishte zënë gjumi. “Dilni sa më shpejt për votim, se duam të dalim patjetër në gazetë këtë vit,” ulëriti ai dhe vazhdoi të trokiste tek fqinjët.

Nevoja ime e fortë për gjumë u mund nga frika se do të shigjetohesha keq, në qoftë se do të shkoja me vonesë në votim, që ata të bllokut tim donin ta mbyllnin brenda 10-15 minutash. (Nuk e kam kuptuar asnjëherë se pse e kishin gjithë atë ngut, kur asnjë vëzhgues i pavarur nuk i shikonte se kur e hapnin votimin dhe kur e mbyllnin.)

Vijmë në ditët tona…

Në zgjedhjet bashkiake , votën për këshilltarët ia kam dhënë gjithnjë Ballit Kombëtar. Edhe në këto zgjedhje, si zakonisht, kam ndërmend të votoj përsëri për të. Por një incident i vogël tek kafeneja e lagjes më ka tutur pak.

Tek po pija kafen një mëngjes, në televizorin e kafenesë u shfaqën disa titra, ku shkruhej se Berisha kishte deklaruar se opozita nuk do të lejonte kurrë të votohej, për sa kohë Rama të mbetet kryeministër. Një banor muskuloz i lagjes, ulur pranë tavolinë sime, më tha: “E sheh, zoti analist, nuk do t’i lejmë komunistët të votojnë, nami të bëhet”. “Po ne ballistët, a do të na lejoni?” – ia ktheva unë. “Asnjë, për be,” deklaroi ai me ton kërcënues…

Nuk i dihet sesi do të shkojnë punët deri në 30 qershor, por në qoftë se nuk arrihet një marrëveshje deri atëherë, fqinjët mund të përplasen me fqinjët (e ndoshta edhe kushërinjtë me njëri-tjetrin), vetëm për t’u realizuar objektivi i opozitës, që sa më pak shqiptarë të votojnë.

Si kanë ndryshuar kohërat! Dikur i detyronin, tani duan t’i pengojnë shqiptarët të votojnë…




Skip to toolbar