Dita e Flamurit bën bashkë Ramën e Metën në Vlorë

AKTUALITET


Presidenti Meta dhe Kryeministri Rama kanë lënë pas përplasjet politike dhe janë bërë bashkë në Festën e Pavarësisë dhe kanë nderuar Flamurin Kombëtar në qytetin e Vlorës.

Në kuadër të 107 vjetorit të Pavarësisë Meta dhe Rama ishin bashkë në sheshin Pavarësia në Vlorë ku vendosën kurora me lule dhe u përulën me nderim përpara Flamurit Kombëtar.

Për shkak të tragjedisë së shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit ku deri tani janë konfirmuar 40 jetë të humbura, janë anuluar të gjitha aktivitetet festive me rastin e Ditës së Pavarësisë.

Më herët kryeministri Rama uroi Ditën e Pavarësisë përmes një mesazhi në facebook ku theksoi se  këto ditë festash tradicionale kombëtare, të kthehen në ditë të shënuara solidariteti kombëtar në respekt të atyre që s’janë më dhe në mbështetje të familjeve që sot kanë nevojë për të gjithë ne.

Ndërsa presidenti Meta, në një prononcim të shkurtër për mediat nga Vlora tha se nderimi më i mirë që mund t’i bëjmë këtij 28 nëntori është të vijojmë të angazhohemi për të shëruar plagët e gjithë atyre familjeve që janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Sot nuk është një ditë për të festuar, por është një ditë për të nderuar Flamurin Kombëtar. Nderimi më i mirë që mund ti bëjmë këtij 28 nëntori është të vijojmë të angazhohemi për të shëruar plagët e gjithë atyre familjeve që janë dëmtuar nga ky tërmet dhe të jemi sa më pranë familjeve që kanë humbur të afërmit, për të përballuar dhimbjen por edhe të shohim me besim te e ardhmja që mënyrë që të gjithë të fillojnë jetën normale.

Politika duhet të jetë gjithmonë bashkë, për çështjet më të rëndësishme të vendit, por sot e në këto raste duhet të jetë dhe do të jetë si asnjë herë tjetër, edhe në jetën e përditshme, për të përmbushur një mision që nuk i jemi afruar ditët e fundit, siç është ai i anëtarësimit në BE”,- u shpreh Meta.

Prej disa muajsh marrëdhëniet e presidentit Meta me kryeministrin Rama janë përkeqësuar shumë duke u karakterizuar me përplasje institucionale mes palëve, por duket se tërmeti i 26 nëntorit ka bërë që të lihen pas këto përplasje dhe politikanët të bëhen bashkë për të kapërcyer këtë moment të vështirë.



Skip to toolbar