“Do ndihmojë të prekurit nga tërmeti”, 49-vjeçari mashtron dhe i merr lekët durrsakut

AKTUALITET


Një 49-vjeçar ka përfunduar në pranga pasi përvetësoi një shumë parash duke mashtruar se i donte për të blerë ushqime për të prekurit nga tërmeti.  Arben Musliaj, banues në Tiranë, i mori shtetasit me iniciale N.F., nga Durrësi, një shumë prej 13.000 lekë (të rinj) me pretekstin për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti. Pavarësisht tragjedisë ku tërmeti mori 51 jetë njerëzish, ka persona që kanë tentuar të përfitojnë nga ky rast.

49-vjeçari ka mashtruar një qytetar, duke i kërkuar një shumë lekësh për të blerë ndihma ushqimore për të prekurit nga tërmeti. Ky shtetas akuzohet se duke shfrytëzuar situatën e ndodhur pas tërmetit, në lagjen numër 14, në ambientet e brendshme të tregut të fruta-perimeve në Shkozet, i ka marrë me anë të mashtrimit shumën prej 13.000 lekë (të rinj) shtetasit N. F., banues në Durrës, me arsyen se i duheshin për të blerë ndihma ushqimore për këtë situatë. Burime policore thanë se shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme.

“Policia e Durrësit garanton qytetarët se është tërësisht e angazhuar për të garantuar rendin dhe sigurinë, e jetës dhe të pronës dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital çdo rast abuziv apo çdo tentativë për vjedhje prone duke ju garantuar reagim të shpejtë e të paanshëm.”, thuhet në njoftimin e policisë.



Skip to toolbar