TIRANË- Frika e krijimit të një partie të re, nga grupi i deputetëve të qendrës në PD, ka rritur jo pak frikën e Foltores, që dirigjohet nga Sali Berisha nga ballkoni i shtëpisë edhe pse drejtësia e izoloi për dosjen “Partizani”.
Analisti Artur Zheji i ftuar në “Real Story”, u ndal konkretisht tek vizita e Bardhit në SHBA dhe takimet e tij në Departamentin e Shtetit. Ai shtoi se nuk është Bardhi, por Flamur Noka, emri që do përcaktojë në 2025 se kush do të bëhet deputet në Partinë Demokratike.
“Unë s’kuptova asgjë nga ajo çfarë tha ai. Unë kuptoj shumë më mirë Flamur Nokën. Ai është besnik i doktorit, besnik i linjës së doktorit. Është njeri, i cili do të përcaktojë rezervuarin e votave në PD se kush do bëhet deputet. Do ketë një treshe, doktori, Malltezi dhe Noka, do përcaktojë listën e ardhshme të deputetëve”, theksoi Zheji.
Sipas tij, Gazment Bardhi është një lojtar politik që qarkullon në fushë pa top.
“Rezervuarin e votave, këto 400 mijë vota që mendojmë se janë. I ka Berisha, por s’i ka Bardhi. Bardhi është një lojtar pa top, topin e ka Noka”, tha ai.
Gjatë diskutimit, gazetari dhe analisti Skënder Minxhozi, tha se tentativat për të gjetur një afrim mes fraksioneve aktuale në PD kanë prirjen të dështojnë sërish, ndërsa nuk e fsheh faktin kokëfortë se nga kjo situatë mund të lindin sërish përçarje të reja.
“Edhe fotoja, edhe deklarata, edhe ato që dëgjohen, edhe deklaratat e Gjekmarkaj, ne kemi dëgjuar se ka ide, projekte, por janë shumë të mjegullta që thonë se na duhet një dalje nga ajo rrugicë. Nëse Berisha ishte njëherë jo i gatshëm, të hynte ne negociata kur u shpall non grata, me mbylljen brenda shtëpisë fizikisht, është 10 herë jo i gatshëm në negociatë. Që do të thotë , kjo hedh në erë totalisht më të parin, kuadratin që identifikohet me Gazment Bardhin. Ky kuadrat ndodhet sot në mes dy forcave diametralisht të kundërta, që tërheqin në kaheje krejt të kundërta nga njëra-tjetra, se si mund ta zgjidh Bardhi dhe të tjerët këtë lloj situate të skajshme unë nuk e shoh dot. Kjo do të përfundojë me çarje në fund fare. Ky ka votat[ref.Berishës], ky ka stemën [ref.Bashës] dhe ky [ref.Bardhit] ka shkuar në SHBA dhe i kanë hedhur një kartë si negociator i mundshëm”, tha ai.
Më tej, Zheji, tha se një “regji okulte” brenda apo jashtë Shqipërisë mund të çojë në krijimin e katër Partive Demokratike, të cilat do kenë në përbërje këto emra të mëposhtëm.
“Një regji okulte, brenda apo jashtë Shqipërisë, po na jep shpejt e shpejt katër PD. PD besnike të doktorit dhe Nokës, PD e Gazit dhe shokëve të tij, PD e Bashës dhe PD e Shehaj”, tha ai./