“Do ta kemi Francën në krah, pa harruar të bëjmë detyrat tona”, Rama: Kjo qasje do ishte pamundur nëse…

Më të fundit


Kryeministri Edi Rama thotë se me ndryshimin e qëndrimit të Francës dhe Holandës, dy skeptiket më të mëdha për integrimin evropian të Shqipërisë, janë kapërcyer dy dete.

Në intervistën me gazetarin Sokol Balla nga Parisi, kreu i qeverisë shprehu besimin se do ta kemi Francën në krah në rrugëtimin evropian.


Falë këtij ndryshimi të imazhit dhe perceptimit, thotë kreu i qeverisë, shqiptarët nuk shihen më si problemi i përditshëm dhe Shqipëria nuk shihet si një vend ku janë mbledhur gjithë kriminelët.

Pjesë nga intervista:

Balla: Më kujtohet nga një vizitë tjetër që kemi qenë sebashku këtu në 2015, pas sulmit terrorist në redaksinë e Charlie Hebdo, mbaj mend atë PR e jashtëzakonshëm që iu bë Shqipërisë me të gjithë përfaqësuesit e feve, që ecën në rrugët e Parisit dhe që korrën duartrokitjet e gjithë atyre që morën pjesë. Ju keni investuar prej shumë vitesh dhe rezultati është ky që ne shohim sot, Franca një vend që në rastin më të mirë ka qenë indiferent ndaj Shqipërisë, në rastin më të keq, i kthehemi ngjarjeve në Kosovë në 99, ka punuar edhe kundra interesave tona. Çfarë prisni nga ky ndryshim radikal i pozicionit diplomatik të Parisit, ndaj Shqipërisë. Mos harrojmë se jemi në një moment delikat të BE por edhe të zgjerimit të tij, për shkak të presioneve pozitive që po vijnë për shkak të konfliktit të Ukrainës.

Rama: Kini parasysh që Franca dhe Holanda, janë dy skeptikët e mëdhenj të zgjerimit dhe janë vendet që janë si të thuash janë barrierat e fundit gjithmonë, kur kapërcehen barrierat e tjera përpara se të merret një vendim në rrugën e progresit për anëtarësim në BE. Dhe edhe në këtë aspekt flisja me ambasadorin sot, që është një ambasador i nivelit botëror sipas meje, fat që e kemi ketu në Paris, i respektuar nga të gjithë, i vlerësuar nga të gjithë. Nëse në nivelin botëror nga një komunitet diplomatësh, në kategorinë tonë është Dritan Tola nga shqiptarët dhe po kujtonin se sa vështirësi kemi patur në periudhën kur donim të merrnim statusin e vendit kandidat, pastaj kur donim të merrnim zyrtarizimin e hapjes së negociatave dhe një nga pengesat ka qenë Franca, për arsyet e veta sepse nuk e kishte me Shqipërinë, por e kishte për arsyet e veta. Dhe ndërkohë sot ne me Francën dhe Holandën kemi kapërcyer dy dete dhe jemi në të njëjtin breg, në aspektin e komunikimit në aspektin e mirëkuptimit në aspektin e mbështetjes reciproke, në aspektin e bashkëpunimit. Kështu që, unë besoj që ne do ta kemi Francën në krah dhe gjithmonë pa harruar të bëjmë detyrat tona, pa harruar të bëjmë progresin tonë.

Balla: Edhe në Gjermani, opinioni në maxhorancë ndaj zgjerimit edhe të futjes së Shqipërisë vijon të jetë negativ, por ndryshimi është se Gjermania nga pikëpamja shtetërore ka një tjetër politikë që nuk reflekton humorin e njerëzve, ndërkohë qoftë Franca, qoftë Holanda kanë qenë të lidhura edhe me humoret e zgjedhësve të tyre. Ajo që vë re me z.Macron, është se pavarësisht se sondazhet nuk janë shumë optimiste për ta, ata vijojnë t’i qëndrojnë idesë se Shqipëria e meriton fazën tjetër të afrimit në BE.

Rama: Sigurisht humoret e brendshme kanë rëndësinë e tyre, por në Francë, kanë rëndësinë e tyre, por në Francë kanë rëndësinë e tyre edhe për një arsye tjetër, sepse Franca ka një kënd tjetër se si e sheh zgjerimin dhe metodologjinë e zgjerimit dhe presioni i Macron në fillim të mandatit ishte të ndryshonte metodologjia e integrimit dhe e ndryshoi e imponoi. Pra, është më komplekse, ndërkohë që ne në këto raste jemi sic thuhet dëm kolateral. Por duhet të kemi parasysh një gjë tjetër që është shumë e rëndësishme, do ishte pamundur kjo qasje e re nga ana e Presidentit të Francës, institucioneve franceze nëse ne nuk do kishim transformuar imazhin e Shqipërisë te publiku francez dhe në mediat e Francës. Sot në mëngjes, ka dalë një artikull i jashtëzakonshëm për Shqipërinë në Le Figaro, si një vend ku duhet shkuar, duhet vizituar etj etj. Domethënë, që mediat e Francës, angleze, në Holandë në të gjitha vendet që deri dje po të ishe shqiptar apo po të gjeje një lajm nga Shqipëria ishte patjetër lajm i keq nuk diskutohej lajm i keq, janë kthyer në altoparlant të Shqipërisë të transformuar turistike e bën shumë më të thjeshtë edhe për politikën. Sepse falë këtij ndryshimi të imazhit dhe këtij perceptimi të ri që po merr formë dita ditës edhe publiku nuk i sheh më shqiptarët si problemin e përditshëm dhe nuk e sheh më Shqipërinë si një vend që atje janë mbledhur gjithë kriminelët edhe vrasin, presin, vjedhin edhe hanë e pinë edhe të rrëmbejnë edhe të presin mishin me thikë kur I shkon edhe I bie derës së shtëpisë. Perceptim i tmerrshëm, i krijuar nga mediat por i ushqyer nga realiteti i rëndë i Shqipërisë ku praktikisht në vitet e fundit, përpara ardhjes sime në detyrë kryeministri i Shqipërisë nuk pritej më nga askund edhe ku nëpër takime ku Shqipëria ishte prezente e evitonin të gjithë, kjo është e vërteta./abcnews.al




Skip to toolbar