Pas gatishmërisë së Damian Gjinkurit për t’u dorëhequr nga drejtimi i Komisionit të Reformës Zgjedhore, ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike, e cila nuk duket e kënaqur me plotësimin e kushtit, por kërkon daljen e tij para drejtësisë.
Në emër të PD-së, ka reaguar sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, i cili tha se Gjiknuri është i akuzuar për krime zgjedhore dhe duhej të ishte në burg.
“Damian Gjiknuri dhe gjithë ata që kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar për të shkatërruar zgjedhjet dhe për të vjedhur votat, nuk duhet të jetë me zgjedhje për të dhënë apo jo dorëheqjen nga Komisioni, por duhet të ndiqen penalisht dhe të shkojë në burg për kryerjen e krimeve zgjedhore.
Kjo nuk është kërkesë e opozitës, ky është standard evropian, është një nga kushtet e Bashkimit Europian për hapjen e negociatave.
Të gjithë ata, përfshirë Damian Gjiknurin dhe gjithë pjesën tjetër të anëtarëve të Komisionit, që janë pjesë e dosjeve “184” dhe “339” nuk duhet të jenë në komisionin për reformën zgjedhore, por do të duhet të jenë në burg dhe të proceduar penalisht për të gjitha krimet zgjedhore që kanë kryer”, tha Bardhi.
Një ditë më herët kryetari i PD-së, Lulzim Basha kushtëzoi pjesëmarrjen e PD-së në komisionin e Reformës Zgjedhore me largimin e bashkëkryetarit të këtij komisioni, Damian Gjiknuri. Gjatë një deklarate për mediat Gjiknuri u shpreh të enjten i gatshëm të largohet me kusht që të realizohet reforma zgjedhore. Por PD duket se ende nuk është gati të marrë pjesë në tryezën e diskutimeve, pasi çdo ditë nxjerr kushte të reja. Megjithatë pritet një ndryshim në qëndrimet e saj duke pasur parasysh “ultimatumin” e dhënë të mërkurën në mbrëmje nga Mathew Palmer, i cili i kërkoi opozitës të ulet në tryezën e dialogut me maxhorancën për realizimin e reformës zgjedhore./realstory.al