Dorëhiqet para vettingut kandidatja për Gjykatën Speciale

AKTUALITET


Gjyqtarja për Krimet e Rënda, Liljana Baku ka dhënë dorëheqjen para vettingut, ndonëse ajo ishte kandidate për Gjykatën Speciale. Me datë 2 dhjetor, gjykatësja e karrierës depozitoi zyrtarisht në Këshillin e Lartë Gjyqësor kërkesën ku shpjegon arsyet e largimit nga detyra. Burime të besuara i thane gazetares Klodiana Lala, se në letrën e dorëheqjes Baku sqaron se në të ardhmen do të angazhohet në një biznes privat e për këtë shkak s’mund të vijojë me karrierën në gjyqësor.

Por, gjyqtarja Baku rezulton se është në listën e miratuar nga KPK që në janar të këtij viti për të kaluar në procesin e vettingut. Megjithatë, ajo është larguar para se t’i nënshtrohet këtij procesi. Këshilli pritet ta shqyrtojë kërkesën e saj në seancën plenare të datës 10 dhjetor, pak ditë përpara se të bëjë emërimin e përkohshëm të gjykatës së posaçme, kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas ligjit, gjykatësja Baku automatikisht emërohej pranë gjykatës së posaçme, pasi më herët kishte shprehur pëlqimin dhe kishte autorizuar autoritetet të kontrollonin periodikisht llogaritë bankare të saj dhe familjarëve, si dhe telekomunikimet vetjake.

Liljana Baku, është bërë pjesë e sistemit të drejtësisë, prej më shumë se 20 vitesh. Prej themelimit të saj, ajo ka ushtruar funksionin pranë Gjykatës për Krime të Rënda, ku ka shqyrtuar mjaft dosje të vështira. Një prej këtyre dosjeve është edhe ajo e ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri. Në krye të herës, ajo vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë duke i bllokuar pasaportën Tahirit, e në këtë mënyrë edhe lëvizjen jashtë vendit. Por më vonë, ajo nuk pranoi kërkesën për “arrest me burg” të Tahirit, duke e lënë në “arrest shtëpie”. Një tjetër dosje e bujshme e saj ishte vendimi që lejoi kontrollin e banesave të tre gjyqtarëve, të cilët dhanë vendimin për Dritan Dajtin. Ndërsa një çështje tjetër është ajo e dosjes Babale, ku Baku ngriti akuzat për “kallëzim të rremë”.



Skip to toolbar