Dosja greke për Kajmakun: Jorgo Toto u kap me dy të tjerë, me 4850 euro false

POLITIKË


Jorgo Toto, që Partia Demokratike akuzon se është Agim Kajmaku, kryebashkiaku i Vorës, është arrestuar së bashku me dy shqiptarë të tjerë. Kështu thuhet në dokumentin që PD bëri publike, si provë për arrestimin e Agim Kajmakut në Greqi, por edhe në komunikatën e policisë greke të publikuar nga media Ekathimerini.

Të arrestuar së bashku me Jorgo Toto, personin që PD-ja pretendon se është Agim Kajmaku, janë arrestuar edhe dy shqiptarët Roland Biftari, 28 vjeç dhe Spiro Taho, 42 vjeç. Ato akuzohen për falsifikim parash në 2003, një krim që dënohet me 10 vite burg në Greqi, sipas Partisë Demokratike.

Sipas komunikatës së policisë greke, thuhet se Jorgo Toto së bashku me dy shqiptarët e tjerë u kapën në flagrancë duke përdorur 97 prerje false 50 euro për të blerë fidanë agrumesh në qytetin e Artës në Greqi.  Në dokument thuhet se vlera totale e paguar ishte 12 mijë euro dhe nga kjo shumë, 97 prerje 50 euro ose 4850 euro rezultuan të ishin të falsifikuara.

PD, gjatë një konferencë për shtyp, akuzoi Agim Kajmakun se në 2003 ka përdorur identitetin e rremë Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi Parashivi dhe se është në ndjekej penale nga prokuroria greke, pasi masa e dhënë ndaj tij “arrest me burg” është e paekzekutuar.

Kajmaku i ka mohuar më herët këto akuza duke thënë se PD i referohet një tjetër personi, pasi identitet Jorgo Toto që ai ka përdorur ka atësi dhe mëmësi të emrave të prindërve të tij, Ymer dhe Maxhe, dhe jo Thanas dhe Parashivi siç pretendon PD.



Skip to toolbar