Prokuroria kërkesë noterëve: Njoftoni policinë nëse shfaqet Kajmaku

AKTUALITET


Prokuroria e Krimeve të Rënda, në lidhje me arratisjen e Agim Kajmakut, i ka dorëzuar një letër të gjithë noterëve në vend, që nëse i kërkuari nga drejtësia Agim Kajmaku paraqitet tek ato për çdo lloj veprimi, duhet të njoftojnë në mënyrë të menjëhershme policinë. Shkresa iu është shpërndarë të gjitha zyrave të noterisë në vend dhe mban firmën e drejtuesit të seksionit, Kolë Hysenaj.

“Njoftohen të gjithë noterët që nëse shtetasi Agim Kajmaku paraqitet për kryerjen e ndonjë veprim noterial cilado qoftë kërkesa e tij të njoftoni paraprakisht policinë e shtetit. Mos bërja e njoftimin ngarkon noterët me përgjegjësi penale” shkruhet në shkresën që prokuroria e Krimeve të Rënda u ka dorëzuar noterëve në vend.


Agim Kajmaku, ish kryetar i Bashkisë Vorë, është shpallur në kërkim nga policia pasi akuzohet për 3 vepra penale, për “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim formularësh” dhe “Kryerje të funksionit pas shkarkimit nga detyra.”

Kajmaku u denoncua nga Partia Demokratike se ai ishte arrestuar dhe dënuar në Greqi për falsifikim parash nën identitetin Jorgo Toto. Kjo akuzë u mohua disa herët nga vetë Kajmaku, deri sa prokuroria shqiptare mori provat se Agim Kajmaku dhe shtetasi Jorgo Toto i dënuar në Greqi, ishin i njëjti person. Pas provave prokuroria kërkoi shkarkimin dhe arrestimin e tij, por Kajmaku rezulton i arratisur. Gjithashtu pas shkarkimit, Agim Kajmaku kishte firmosur largimin nga detyra të dy nënkryetarëve të bashkisë, por kishte ndërruar datën e shkarkimit të tyre sikur e kishte marrë vendimin para largimit të tij nga detyra e kryetarit të bashkisë, duke kryer kështu një tjetër falsifikim me dokumentet pas atij me formularin e dekriminalizimit.




Skip to toolbar