Dosja “Tërmeti”, Prokuroria urdhëron arrestimin e 40 personave në Tiranë

#NËRADAR


Një megaoperacion policor është zhvilluar të martën pasditen e të martës për arrestimin e 40 personave, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale. Konkretisht, policia është duke ekzekutuar urdhër-ndalimin për 40 persona, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të cilët dyshohet se kanë përgjegjësi ligjore për shembjen apo dëmtimin e shumë godinave nga tërmeti i 26 nëntorit.

Sipas gazetares Klodiana Lala, deri në orët e mbrëmjes të së martës janë arrestuar të paktën 27 persona, ish-zyrtarë, zyrtarë, ndërtues, inxhinier, arkitektë dhe persona të tjerë, që dyshohet se kanë përgjegjësi për ndërtesat e shembura nga tërmeti i 26 nëntorit. Paraprakisht dyshohet se në polici janë shoqëruar: ish-shefi i Urbanistikës në Bashkinë e Vorës, ish-kreu i Komunës së Farkës dhe ai i Kasharait, dy arkitekte dhe persona të tjerë.

Operacioni i Policisë për ekzekutimin e urdhër-ndalimit të Prokurorisë është zhvilluar në Kashar, Vorë dhe Farkë. Këta persona akuzohen për veprën penale “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim të dokumenteve”. Zyrtarët për të cilët janë prerë urdhër-ndalimet nga Prokuroria e Tiranës, dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën për godinat ku ka pasur dëmtime të rënda nga tërmeti.

Dyshohet se në godinat e shembura apo dëmtuara nga tërmeti, ka pasur ndërhyrje të paligjshme, janë holluar bazamentet mbajtëse të tyre, apo janë dhënë leje ndërtimi të paligjshme. Megjithatë, Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Tiranës ende nuk kanë dalë në deklaratë zyrtare, për të dhënë detaje rreth operacionit të zhvilluar. Prokuroria e Tiranës nisi hetimet fill pas tërmetit të 26 nëntorit për personat të cilët dyshohet se kanë përgjegjësi për banesat që u dëmtuan rëndë apo u shembën nga tërmeti.



Skip to toolbar