Quinti i ambasadorëve: Masakra e Reçakut, shkaku pse nisëm bombardimet në Kosovë

AKTUALITET


Ambasadorët e Shtetve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, reaguan të martën (14 janar 2020) në një deklaratë për 21-vjetorin e asaj që njihet si “Masakra e Reçakut”. Quinti i ambasadorëve e cilëson këtë masakër si arsyen kryesore që bindi NATO-n të ndërhynte për t`i dhënë fund katastrofës humanitare në Kosovë.

“Njëzet e një vjet më parë, masakra që ndodhi në Reçak përfundimisht bëri që aleatët e NATO-s të ndërhyjnë dhe të përfundojnë një katastrofë humanitare. Ne e nderojmë kujtimin e atyre që humbën në Reçak dhe të gjitha masakrat e tjera në Kosovë dy dekada më parë, duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe prosperitetit për brezat e ardhshëm”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e kuintit të ambasadave në Kosovë.


Më tej, ambasadorët e vendeve aleate, i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të sigurojnë akses të plotë në drejtësi për familjet e viktimave. “Qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë duhet të sigurojnë që viktimat dhe familjet e tyre të kenë akses të plotë në drejtësi, dhe informacione në lidhje me fatin e të dashurve të tyre”, thuhet në deklaratë. Ndërkohë, në fund të saj, ambasdorët shprehen se do të mbështesin Kosovën për të zbatuar një nga kërkesat e Deklaratës së Pavarësisë, për të “përballuar trashëgiminë e dhimbshme në një frymë pajtimi”.

“Qytetarët e të gjitha etnive duhet të ndjehen në shtëpi dhe të lirë të jetojnë dhe të punojnë në paqe me fqinjët e tyre. Siç thotë Deklarata e Pavarësisë së këtij vendi, Kosova është një vend “i përkushtuar për të përballuar trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës së fundit në një frymë pajtimi dhe faljeje. Të përkushtuar për mbrojtjen, promovimin dhe nderimin e larmisë së popullit tonë”. Qëllimi ynë i përbashkët është të mbështesim vazhdimisht Kosovën në këtë rrugë”, përfundon deklarata.

Kjo deklaratë vjen vetëm pak kohë pasi Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e quajti “trillim masakrën e Reçakut”, pasi sipas tij “ajo shërbeu për të justifikuar NATO bombardimet ndaj ushtrisë së Milosheviçit”. Megjithatë, gjatë vizitës në Tiranë, për punimet e samitit të Shengenit Ballkanik, në një intervistë për “Euroneës”, Vuçiç mohoi deklaratat e tij, duke u shprehur se “asnjëherë nuk kishte mohuar krimet e luftës”. E pranuar dhe nga vetë vendet anëtare të NATO-s, ishte masakrimi i popullësisë civile në Reçak nga forcat serbe, ajo që bindi Aleancën e Atlantikut të Veriut për të ndërhyrë në Kosovë. /Realstory.al/




Skip to toolbar