Pas ngërçit të krijuar për emërimet dhe dekretimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, maxhoranca qeverisëse në Kuvend është duke përgatitur disa amendamente në dy ligje, atë “Për organizimin e Gjykatës Kushtetuese” dhe “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”. Ligjet synojnë të zgjidhin ngërçin e krijuar për procedurën e fillimit të detyrës së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, që aktualisht, sipas përcaktimeve ligjore, që anëtari i kushtetueses së fillojë detyrën duhet të bëjë betimin te Presidenti.
Ky përcaktim pritet të hiqet, dhe sipas Kryetarit të Komisionit të Ligjeve, ndryshimet nuk synojnë vetëm zgjidhjen e ngërçit aktual. Në një deklaratë për mediat, Manja bëri të njohura ndryshimet. Drafti saktëson se gjyqtari i emëruar në Gjykatën Kushtetuese, që nuk thirret për betim në Presidencë e kryen betimin në formë të shkruar, mund të ndryshojë duke hequr kufizimin e duke përcaktuar se “ceremonia e betimit mund të organizohet pranë Gjykatës Kushtetuese”.
Por, a do të ketë ligji fuqi prapavepruese, duke i dhënë mundësi Arta Vorpsit të marrë detyrën e anëtares së Gjykatës Kushtetuese? Ulsi Manja shprehet se kjo çështje do të zgjidhet nga vetë Gjykata Kushtetuese. “Vendimin se kush do konsiderohet anëtare e Gjykatës Kushtetutese, Arta Vorpsi apo Marsida Xhaferllari, do e marrë Gjykata Kushtetutese”, tha Manja. Nisma ligjore e propozuar nga deputetët e maxhorancës do të diskutohet në sezonin e ri parlamentar vitin e ardhshëm.