Gjykata Kushtetuese njeh Xhaferllarin: Për Vorpsin nuk kemi kuorum

#NËRADAR


Pas miratimit në Kuvend të Rezolutës për “Shmangin e krizës me synim legjitimimin e Gjykatës Kushtetuese”, ky institucion reagoi zyrtarisht pasditen e të premtes. Në deklaratën e saj, Gjykata Kushtetuese shprehet se pavarësisht plotësimit të disa vakancave, kjo gjykatë nuk e ka kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar dhe vendosur në seancë gjyqësore për kërkesat që paraqiten përpara saj.  

“Për sa më sipër, lidhur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese sqaron se, edhe pas plotësimit të disa prej vakancave në përbërjen e saj, nuk e ka ende kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar dhe vendosur në seancë gjyqësore lidhur me kërkesat që paraqiten përpara saj. Për këtë arsye ajo nuk mund të ushtrojë kompetencat e saj thelbësore apo juridiksionale lidhur me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis pushteteve apo organeve kushtetuese, si dhe as ato kompetenca që lidhen me shqyrtimin e kushtetutshmërisë së akteve të nxjerra nga organet e pushtetit publik”, thuhet në njoftim.


Më tej, Gjykata Kushtetuese, thotë se është duke ndërmarrë hapat administrative formale për fillimin e detyrës për tre anëtarët e rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës.

“Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës”, thuhet në njoftim, duke iu referuar Elsa Toskës, Marsida Xhaferllarit dhe Fiona Papajorgjit.

Nisur nga ky njoftim, duket se anëtarët aktual të Gjykatës Kushtetuese nuk do të “njohin” mandatin e Arta Vorpsit, deri në plotësimin, sipas kësaj gjykate, të vakancave të tjera që do të krijonin kuorumin për shqyrtimin dhe marrjen e një vendimi në themel.




Skip to toolbar