Gjykata e Posaçme ka shpallur moskompetencën duke ia kaluar gjykimin e sekuestros së pasurive të ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, Gjykatës së Tiranës.
Në vendim është saktësuar se vepra penale që akuzohet ish- prokurori i Përgjithshëm nuk është konpetencë e kësaj gjykate dhe në bazë të ligjit Antimafia këtë gjykim duhet ta bëjë Gjykata e Tiranës.
Me sa duket Gjykata Speciale ose nuk merret me gjykimin e veprave penale te korrupsionit, ose pasuria nje milione euro e vene nga rrogtari Llalla nuk perben korrupsion, duke dekonspiruar ndoshta dhe vendimin e pritshem kunder tij.
Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 me akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave.
Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.
Më pas, dosja u dërgua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, kjo gjykate vendosi sekuestron e pronave të ish-prokurorit të Përgjithshëm.
Ish-prokurorit iu sekuestrua një apartament 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 22 mijë metrash katrorë në periferi të Tiranës.
Më 19 nëntor të këtij viti gjyqtarja Irena Gjoka pranoi kërkesën e SPAK për gjykimin e Llallës për fshehje të pasurisë dhe në të njëjtin vendim liroi nga sekuestroja pronat e sekuestruara në fillim të hetimit nga ish-Krimet e Rënda.
Por disa javë më vonë SPAK kërkoi sërish sekuestrimin e pasurive të Llallës, por këtë herë bazuar në ligjin “Antimafia” dhe përmes një procedimi të ndarë.
Bëhet fjalë sërish për apartamentin në Durrës dhe katër parcelat e tokës në periferi të Tiranës.
Ndërkohe që tashmë me këtë hetim do të merret gjykata e Tiranës.