Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në pritjen e përvitshme me Trupin Diplomatik të akredituar në Shqipëri, përcolli mesazhe për avancimin e integrimit në BE, bashkëpunimin në rajon dhe me partnerët ndërkombëtarë, si dhe forcimin e strukturës Euroatlantike.
Begaj shprehu mirënjohje ndaj partnerëve të Shqipërisë që kanë kontribuar në zhvillimin e reformave në vend, teksa i bëri thirrje klasës politike për dialog dhe zhvillimin e zgjedhjeve te 11 majit sipas standardeve:
“Cilësia e sistemit të drejtësisë në çdo shkallë të saj dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar mbeten prioritete kryesore. Një falënderim të veçantë kam për aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për kontributin e pazëvendësueshëm që drejtësia të konsolidohet në kolonën solide të shtetit tonë demokratik. Sfidë mbetet cilësia e dialogut politik në vend. Shqipëria shquhet për dialog ndërkulturor e fetar, e nën këtë shembull që i ka shenjuar shqiptarët ndër shekuj, uroj që edhe dialogu midis partive politike të kthehet në normalitet të jetës politike në vend. Zgjedhjet janë test pjekurie, e rëndësishme mbetet zbatimi i standardeve”, theksoi ai./abcnews.al