Konflikti SHBA-Iran, Papa Françesku: Dialog, jo dhunë

AKTUALITET


Papa Françesku apelon t’i jepet fund konfliktit mes SHBA dhe Iranit ndërsa bën thirrje që palët të nisin dialogun në respekt të plotë të ligjeve ndërkombëtare. Thirrja e Papës u bë të enjten në një takim që u organizua në Pallatit Apostolik të Vatikanit ku morën pjesë 183 ambasadorë të akredituar në Selinë e Shenjtë për audiencën vjetore të dhënë nga Papa për anëtarët e trupit diplomatik. Takimi këtë vit u zhvillua pikërisht pas vrasjes nga SHBA të gjeneralin iranian Soleimani akt ky që përkeqësoi ndjeshëm marrëdhëniet mes dy vendeve dhe që u pasua nga një sulm me raketa nga Irani në drejtim të dy bazave ushtarake amerikane në Irak, fatmirësisht pa shënuar viktima. Papa Françesku foli qartë dhe hapur në lidhje me këtë incident duke thënë se kërkon t’i jepet fund konfrontimit dhe dhunës dhe palët të gjejnë gjuhën e dialogut.

“Veçanërisht shqetësuese janë sinjalet që vijnë nga i gjithë rajoni, pas ngritjes së tensionit midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, tension ky që para së gjithash rrezikon vendosjen e një tendosje në procesin e ngadaltë të rindërtimit të Irakut, si dhe krijimin e bazës për një konflikt në shkallë më të gjerë që të gjithë ne do të donim të ishim në gjendje të shmangnim. Prandaj, unë ritheksoj për të gjitha palët e interesuara për të shmangur një rritje të konfrontimit dhe për të mbajtur ndezur flakën e dialogut dhe vetë-kontrollit, në respekt të plotë të ligjeve ndërkombëtare”, tha Papa.


Fjalimi para trupit diplomatik ishte shkruar dhe punuar deri në minutën e fundit pikërisht për shkak të delikatesës së skenarit ndërkombëtar. Jo më kot Papa Françesku e hapi fjalimin e tij duke thënë se viti i ri “nuk duket të jetë i shënjuar me shenja inkurajuese, por më tepër me një intensifikim të tensioneve dhe dhunës”.  Sipas tij edhe çështjet me komplekse mund të zgjidhen përmes dialogut. “Shpresa kërkon guxim. Kërkon vetëdijen se e keqja, vuajtja dhe vdekja nuk do të mbizotërojnë dhe që madje edhe çështjet më komplekse mund dhe duhet të adresohen dhe zgjidhen”, tha Papa.

Rreziku i keqpërdorimit të armëve bërthamore është në krye të shqetësimeve të Vatikanit. Një muaj e gjysmë me herët Papa ishte në Japoni, ku ai pati takime të shumta me të mbijetuarit e bombës atomike në Hiroshima dhe Nagasaki. Me atë rast u bë e qartë nga Papa “se paqja e vërtetë nuk mund të ndërtohet me kërcënimin e një asgjësimi të mundshëm të njerëzimit të shkaktuar nga armët bërthamore”.

Për Papën armët bërthamore “jo vetëm që krijojnë një atmosferë frike, mosbesimi dhe armiqësie, por ato shkatërrojnë shpresën”. “Përdorimi i tyre është imorale, një krim, jo ​​vetëm kundër njeriut dhe dinjitetit të tij, por kundër çdo mundësie të së ardhmes në shtëpinë tonë të përbashkët. Një botë pa armë bërthamore është e mundur dhe e nevojshme, dhe është koha që ata me përgjegjësi politike të ndërgjegjësohen plotësisht, pasi nuk është posedimi i mjeteve të fuqishme të shkatërrimit në masë që e bën botën më të sigurt, por puna e durueshme e të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë që i përkushtohen konkretisht, secilit në zonën e vet , për të ndërtuar një botë paqeje, solidariteti dhe respekti”, ka theksuar Papa.




Skip to toolbar