“Do të kundërpërgjigjemi!” Këto ishin fjalët e presidentit Joe Biden, pasi një sulm me dron vrau tre ushtarë amerikanë në një bazë të SHBA pranë kufirit të Jordanisë me Sirinë.
Uashingtoni fajëson milicitë radikale të mbështetura nga Irani për sulmin ku pati gjithashtu dhjetëra të plagosur. Kjo është hera e parë që trupa amerikane vriten në rajon që prej shpërthimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor.
“Patëm një natë të vështirë, pasi humbëm tre ushtarë të guximshëm në një sulm ndaj bazave tona. Ne do të kundërpërgjigjemi”, tha Joe Biden.
Irani ka nxituar të mohojë akuzat e SHBA dhe Britanisë së Madhe se qëndronte pas ngjarjes e cila shënon një përshkallëzim të rrezikshëm të situatës në Lindjen e Mesme.
“Këto akuza bëhen me qëllimin e vetëm politik për të përmbysur realitetin në rajon”, tha një zëdhënës i ministrisë së Jashtme në Teheran.
Por duket se zyrtarët amerikanë, nuk kanë dyshime se dora e Teheranit fshihet pas dronit që duket të jetë lëshuar nga Siria.
“Jemi sulmuar më shumë se 100 herë rreth Lindjes së Mesme gjatë muajve të fundit dhe ne e dimë që vjen nga Irani”, tha ish-komandanti i lartë i NATO-s, Wesley Clark.
Disa ligjvënës në Shtetet e Bashkuara, thonë se goditja e militantëve të mbështetur nga Irani në rajon nuk është më e mjaftueshme. Ata kërkojnë që tani të sulmohet vetë Irani.
Por analistët druhen se një lëvizje e tillë mund të çojë në konflikt global. “Duhet të kujtojmë se Irani është I lidhur jo vetëm me Rusinë por edhe Kinën e vende të tjera”, tha gjenerali Mark Hertling, ish-komandant i ushtrisë amerikane në Europë.