“Inflacioni është në rënie”, Guvernatori i BSH: Shqipëria, norma të larta të rritjes ekonomike

AKTUALITET


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, thotë se ekonomia shqiptare ka një ecuri pozitive dhe ka shënuar norma të larta të rritjes ekonomike.

Në fjalën e tij për prezantimin e Raportit të Tranzicionit të BERZH-it 2023-2024, Sejko vlerësoi se inflacioni ka ardhur në rënie.


Si fillim, më lejoni të theksoj se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri të mirë përballë goditjeve të njëpasnjëshme të katër viteve të fundit. Fondamentet e shëndosha të ekonomisë shqiptare, fleksibiliteti i sektorit tonë privat, si dhe politikat e kujdesshme makroekonomike që kemi ndjekur, kanë mundësuar një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe një stabilitet të përgjithshëm ekonomik e financiar. Në veçanti, inflacioni ka ardhur në rënie, tregjet financiare paraqiten të qeta, ndërsa rritja e punësimit dhe e pagave ka mbështetur buxhetet e familjeve. Nga ana tjetër, sektori bankar paraqitet i shëndetshëm, ndërsa aksesi në financë dhe përfshirja financiare kanë ardhur në përmirësim. Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria ka një ndër normat më të larta të rritjes ekonomike, normat më të ulëta të inflacionit dhe rritjen më të ngadaltë të kostove të financimit”.

Guvernatori i BSH thotë se perspektiva ekonomike paraqitet pozitive, si për bizneset dhe për familjet.

“Edhe pse mjedisi i huaj është ende sfidues, perspektiva ekonomike paraqitet pozitive. Ky besim ushqehet nga një sërë faktorësh, ndër të cilët gjej me vend të theksoj: bilancet e shëndetshme të bizneseve dhe familjeve shqiptare, ambientin e qëndrueshëm financiar, mbështetjen me kredi që sektori bankar vijon të japë për zgjerimin e konsumit dhe të investimeve, si dhe ekspansionin e shpejtë të sektorit të turizmit gjatë viteve të fundit. Paralelisht me to, perspektiva konkrete e anëtarësimit në Bashkimin Evropian ka ndihmuar në fokusimin dhe përshpejtimin e agjendës sonë të reformave strukturore.

Kjo tablo pozitive na inkurajon ta hedhim vështrimin më larg, në sfida të reja të cilat tashmë po shndërrohen në një realitet gjithnjë e më të prekshëm. Ndër temat e parashtruara në Raportin e Tranzicionit, dëshiroj të ndalem në atë të ndryshimeve klimatike. Ngrohja globale dhe rritja e frekuencës së fatkeqësive natyrore të lidhura me klimën, kanë pasoja gjithnjë e më të larta për të gjitha vendet e ekonomitë, qofshin ato të zhvilluara apo në zhvillim, të mëdha apo të vogla. Ndonëse dritarja për veprim po vjen duke u ngushtuar, tranzicioni drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe të gjelbër – në interes të rritjes ekonomike dhe të vetë sistemeve natyrore dhe sociale – po kthehet në një objektiv gjithnjë e më urgjent për shumë vende”.

Gent Sejko evidentoi se sfida për Shqipërinë janë nismat ndaj ndryshimeve klimatike, pasi vendi ynë konsiderohet si vulnerabël në këtë fushë.

“Megjithatë, ndërsa sfida është e qartë për shumicën e vendimmarrësve, identifikimi i mënyrës më të mirë për adresimin e saj në praktikë është ende punë në progres.

Në këtë kontekst, gjej me vend të theksoj se Indeksi Global i Përshtatjes, i matur nga Universiteti i Notre Dame, e rendit Shqipërinë mes vendeve vulnerabël ndaj ndryshimeve klimatike. Po ashtu, vlerësimet e FMN-së sugjerojnë se Shqipëria ka mesatarisht një episod fatkeqësie natyrore në vit, e cila shkakton dëme deri në nivelin 1.3% të PBB-së dhe prek të paktën 1 në 200 banorë të vendit. Ne jemi të ndërgjegjshëm se ndryshimet klimatike do të kenë implikime të gjera për ekonominë, sistemin financiar dhe shoqërinë në përgjithësi. Për këtë arsye, autoritetet publike duhet të angazhohen në plane e strategji konkrete për të minimizuar ndikimin e tyre dhe për të arritur një zhvillim ekonomik e social të qëndrueshëm”.




Skip to toolbar