Dvorani i përgjigjet “sqaruesit” të Metës: Fola shqip, nuk bllokohet KED

POLITIKË


Kreu i KED, Ardian Dvorani ka reaguar pas akuzave dhe sulmeve nga presidenca në lidhje me deklaratën e tij të djeshme dhënë për mediat pas dëshmisë në prokurori. Dvorani tha se ai nuk ka lënë aspak të kuptohet se nëse do vihej në hetim, do bllokohej funksionimi i KED. Përmes një reagimi për mediat, Dvorani theksoi edhe një herë se e vetmja gjë që ka thënë dhe vërtetohet qartë me zë dhe figurë duke folur shqip (Meta më herët zgjodhi që videon me akuzat ndaj Dvoranit t’i jepte dhe në gjuhën angleze) ishte se “nëse ndiqem penalisht nuk mund të ushtroj më funksionin në KED dhe do jetë KED 2020 që do vlerësoj situatën” duke shprehur qartë se ka zgjidhje edhe për këtë lloj situate. Ky reagim i Dvoranit erdhi pas sulmit të radhës të presidencës, ku deklaronte se KED nuk bllokohet me largimin e tij pasi në krye vinte anëtari më i vjetër i Gjykatës Kushtetuese, që në këtë rast është Vitore Tusha.  

Dvorani ka folur edhe për akuzat e Presidencës për mungesë përgjegjshmërie dhe transparence duke njoftuar dy rende dite të ndryshme gjatë mbledhjes së mërkurë. Kreu i KED tha se “sqaruesi”, duke iu drejtuar Tedi Blushit, zëdhënësit të Metës, duhet të kuptojë se çështjet e rendit të ditës në një mbledhjeje “nuk janë kokrra mollësh që vetëm numërohen, por janë çështje që kuptohen dhe dallohen në përmbajtjen e tyre.”

Dvorani tha se nuk ka dëshirë të bëhet pre e lojërave mediatike, ndryshe nga disa “funksionarë publikë që i kanë shumë përzemër këto lojëra, më shumë se sa kujdesin për të përmbushur detyrat që u ngarkon Kushtetuta e ligji” duke iu referuar presidentit Meta, i cili përmes interpretimit apo “leximit” të ndryshëm të Kushtetutës emëroi Marsida Xhaferllarin në Gjykatën Kushtetuese jashtë çdo afati ligjor dhe një emër jashtë liste, dhe shmangu njohjen e Arta Vorpsin e emëruar sipas ligjit.

Deklarata e Ardian Dvoranit:

KED, sikurse gjatë gjithë këtij viti kalendarik vijon me intensitet punën e tij për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore. Edhe në mbledhjen e gjatë të ditës së djeshme, për të cilën njoftimi publik gjendet në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, KED mori disa vendime të rëndësishme dhe zhvilloi intervistat me kandidatët për Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Në ditët e ardhshme, ky KED do të miratojë edhe Listën Përfundimtare me renditjen e kandidatëve, e cila së bashku Raportin e Arsyetuar dhe aktet përkatëse, menjëherë do t’i përcillet Kuvendit për të zgjedhur Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

Ndërkohë, nëpërmjet medias, vij në dijeni të një “sqarimi” të zëdhënësit të Presidentit të Republikës i cili, me këtë rast, paska vendosur pikat mbi “i”, duke qetësuar opinionin publik dhe këdo të interesuar se “alibia” ime në komunikimin e djeshëm me median që nëse ndiqem penalisht bllokohet edhe veprimtaria e KED, nuk mund të ndodhë sepse ligji e ka të zgjidhur këtë situatë.

Gjatë gjithë kësaj kohe kam zgjedhur të jem i përmbajtur në komunikimin publik dhe të mos përfshihen në lojërat mediatike të cilat jo pak funksionarë publikë i kanë shumë përzemër, më shumë se sa kujdesin për të përmbushur detyrat që u ngarkon Kushtetuta e ligji, si edhe pritshmërinë e publikut. Kështu do të vazhdoj, të ushtroj deri në fund kompetencat, pa u shpërqendruar nga të tilla fenomene.

Ushtrimi i detyrës dhe dinjiteti i funksionit që kam, më kërkon të mos i përgjigjem këtyre lloj lojërave, nëse nuk është e domosdoshme për të mbrojtur autoritetin kushtetues të KED, të anëtarëve në përbërje të tij dhe figurën e dinjitetin tim në cilësinë e gjyqtarit.

Edhe në këtë rast mund të mos përgjigjesha, nëse nuk do të shikoja të njëjtën sjellje prej recidivësh në shfaqjen publike të të pavërtetave dhe gjysmë të vërtetave, me të cilat së paku vetëm transparencë nuk mund të bëhet.

Ndryshe nga sa paraqitet në këtë “sqarim”, unë jo vetëm nuk kam deklaruar, por as edhe nuk kam lënë të kuptohet se KED bllokohet nëse i nënshtrohem ndjekjes penale. Përkundrazi, në përgjigje të pyetjes së gazetares jam shprehur qartë, në gjuhën shqipe, se nëse ndiqem penalisht nuk mund të ushtroj më funksionin (në KED).

I ndërprerë nga pyetja tjetër e gazetares, jam përgjigjur se KED, pra edhe ai i vitit 2020, do të vlerësojë situatën, duke u shprehur qartë se ka zgjidhje edhe për këtë lloj situate. Pa u menduar gjatë, kushdo e kupton se nuk bëhet fjalë për bllokim të KED. Kjo nuk mund të ndodhë.

Në ditët që jetojmë, për të qenë të përgjegjshëm dhe të sinqertë, teknologjia na ndihmon për gjithçka, edhe për të verifikuar veten dhe që të mos nxitohemi për të folur pa u menduar. Opinioni dhe kushdo i interesuar, për të vërtetën, nuk ka përse të më besojë as mua dhe as “sqaruesin”. Mjafton të shikojë dhe dëgjojë atë që çdo media ka përcjellë ditën e djeshme, të cilën për lehtësi e kam bashkëlidhur këtij komunikimi (në fund të këtij materiali mund të gjeni videon me deklaratën përkatëse).

Së dyti, “sqaruesi” evidenton “papërgjegjshmërinë” time përkundrejt transparencës duke njoftuar publikisht një rend dite të mbledhjes së KED, të ndryshëm nga ai dërguar anëtarëve dhe pjesëmarrësve në mbledhjet e tij.

Edhe për këtë “papërgjegjshmëri” të evidentuar nga “sqaruesi” nuk do të përpiqem të shpjegohem gjatë. Në të vërtetë, në të dy rastet kanë qenë 5 çështje në rendin e ditës, ndryshon vetëm numërtimi. Sigurisht kalimet e procesverbaleve, si në veprimtarinë e çdo institucioni tjetër publik kolegjial nuk klasifikohen e vendosen si çështje të rendit të ditës. Përsëri, edhe në këtë rast, teknologjia na ndihmon për të verifikuar të vërtetën.

Prandaj dy aktet e “papërgjegjshmërisë” time po ia bashkëlidh këtij komunikimi për t’i vlerësuar kushdo që mund të jetë i interesuar. Vetëm se i sjell në vëmendje “sqaruesit”, që çështjet e rendit të ditës së një mbledhjeje nuk janë kokrra mollësh që vetëm numërohen, por janë çështje që kuptohen dhe dallohen në përmbajtjen e tyre.



Skip to toolbar