Basha, qeverisë: Po abuzohet me ndihmat

AKTUALITET


Pas tërmetit, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha po i rikthehet retorikës së zakonshme politike. Të enjten ai akuzoi qeverinë për menaxhim jo të mirë të situatës, duke u shprehur se shumë familje ende nuk kanë marrë asnjë ndihmë. Madje, Basha akuzoi se shpërndarja e ndihmave është bërë në mënyrë selektive për miq dhe kushërinj partiakë.

“Në më shumë se dy javë që nga dita e tërmetit, familje të tëra nuk kanë marrë ende asnjë ndihmë, edhe në rastet kur kanë qënë me fat, u është dashur të presin me orë të tëra apo të sorollaten nëpër zyra për të marrë “ kuponin”. Në shumë raste, shpërndarja e ndihmave është bërë në mënyrë selektive për miq e kushërinj dhe me preferenca partiake. Nese nuk do të ishte ndihma e vullnetarëve, mjaft familje nuk do të kishin as buke për fëmijët e tyre”.


“Shumë familje janë jashtë dhe pa asnjë ndihmë në këtë të ftohtë. Qytetarët thonë se nuk i njohin personat e ngarkuar për situatën, ndërkohë që nuk ka asnjë informacion për fondet e vëna në dispozicion për emergjencën. Asnjë transparencë, se kur do të nisë rikonstruksioni i banesave të dëmtuara , si do të bëhet, fondet e akorduara, e shumë pyetje të tjera pa përgjigje”, shkruan ndër të tjera Basha.

Më tej, Basha shprehet grupet e inspektimit janë kaotike. Sipas kryedemokratit, dy javë pas tërmetit, ende nuk ka një bilanc të plotë të evidentimit të dëmeve. “Sot kemi hyrë në javën e tretë pas tragjedisë së rëndë dhe ende nuk kemi evidentimin e plotë të: sa banesa janë dëmtuar, sa pallate janë shpallur të pabanueshëm, sa qytetarë kanë mbetur të pastrehë, sa qytetarë janë strehur në hotele dhe sa janë ende në qiell të hapur. cila është lista e objekteve të dëmtuara dhe për të cilat deri më tani ka vendim për prishje. cilat janë shkollat e dëmtura dhe kur ishin ndërtuar apo rikonstruktuar ato”, shprehet Basha.




Skip to toolbar