Dvorani “thumbon” Metën: Nuk merrem me seriale

POLITIKË


Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani ka dhënë dëshminë e tij para Prokurorisë për më shumë se 3 orë në lidhje me padinë ngritur nga presidenti Meta. Nga dera e Prokurorisë së Përgjithshme, Dvorani u shpreh për mediat se nuk është në garë me askënd pasi ai nuk ka elektorat duke u distancuar nga sulmet politike. Ai tha se çështja dhe hetimi bëhet në prokurori dhe jo në media, ndërsa në lidhje me deklaratat e presidenti Meta se zotëron video “përvëluese”, Dvorani i cilësoi si skenare filmash apo “seriale me metrazh të shkurtër ose të gjatë”. Dvorani deklaroi se ka dhënë të gjitha sqarimet e tij në prokurori dhe se ajo do të bëjë një hetim të plotë të të gjitha fakteve që ai i ka paraqitur.

“Nuk ka asgjë të veçantë për të deklaruar. Prokurori më ka dërguar thirrjen dhe unë përmbusha detyrimin për t’u paraqitur. Përpara prokurorëve kam dëshmuar faktet dhe rrethanat ashtu si kanë ndodhur që prokurori mund t’i verifikojë. Shpjegimi është i gjatë dhe nuk mund të jem gjithë kohës në media. Nuk ka rëndësi çfarë mendoj unë dhe presidenti. Për këtë situatë prokuroria bën hetime dhe në përputhje me ligjin do vlerësohet ashtu si duhet. Tani unë nuk mund të flas me detaje. Hetimi nuk bëhet në media por në këtë godinë dhe unë aty kam bërë shpjegim të detajuar të të gjithë fakteve. Institucionet dhe funksionarët nuk duhet t’i shtrojnë problematika me produkte artistike dhe me filma me metrazh të shkurtër apo të gjatë, por në rrugë institucionale. Kjo nuk është garë. Personat publikë duhet të jenë shumë seriozë. Unë nuk kam nevojë për vëmendje dhe nuk kam nevojë për publicitet. Unë jam gjyqtar, nuk kam nevojë për elektorat. Nëse ligji dhe kushtetuta më imponojnë të bëj një kallëzim penal, do ta bëj por nuk ka asnjë arsye ” u shpreh Dvorani.

I pyetur se çfarë do të ndodh nëse ai regjistrohet si i pandehur, Dvorani tha se ligji është i qartë në këtë pjesë “pezullohet nga funksioni”. Megjithatë Dvorani shtoi se prokurorët do të vlerësojnë të gjitha provat dhe se do bëjnë një hetime të plotë dhe të drejtë.

Nëse kjo ndodh, ligji është i qartë se nëse anëtari është në ndjekje penale, ai pezullohet nga funksioni. Prokurorët janë duke kryer verifikimet, nuk kam mundësi të bllokoj hetimin. Kam dhënë shpjegim dhe janë prokurorët ata që do e vlerësojnë dhe ata duhet të mbrojnë ato prova shkresore që i quajnë të nevojshme. Nuk jam këtu të deklaroj këshilla, rekomandime. Kjo është e pakuptimtë në një shtet të së drejtës. Në Shqipëri, duhet të mësoheni të gjithë se ligji është i barabartë për të gjithë.  Nuk ka arsye të dal e të them se erdha te prokurori. Nuk ka asgjë për t’u mburrur. Ky është detyrim“, tha Dvorani.

Më herët kreu i KED-së, Dvorani, referuar akuzave të presidentit ndaj tij, i ka cilësuar ato një përpjekje për shantazh dhe në shkelje të hapur të etikës profesionale. Dvorani thotë se padia e presidentit nuk ka elementë penalë dhe se presidenti e lexon gabim kushtetutën në lidhje me procedurat e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Meta dorëzoi padi penale ndaj tij për dy akuza atë të Shpërdorimit të Detyrës dhe përvetësim të kompetencave, dhe i gjithë konflikti mes kreut të KED-së dhe Presidentit doli në pah me emërimin e Arta Vorpsit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, e cila u zgjodh pasi përfundimit të afatit 30 ditorë të presidentit për të zgjedhur një anëtar nga lista.



Skip to toolbar