Dvorani, 3 orë në prokurori për padinë e Metës. Do pyeten dhe anëtarët e KED

AKTUALITET


Pas dëshmisë së presidentit Meta në prokurorinë e Tiranës, kjo e fundit ka thirrur për të marrë në pyetje edhe “të akuzuarin” kreun e KED-së, Ardian Dvorani. Ai është pyetur për tre orë në prokurorinë e Tiranës në lidhje me hapat që ka ndërmarrë për emërimin e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë, prokuroria njofton se në lidhje me këtë çështje pritet të merren në pyetje 10 anëtarët e Këshillit të emërimeve në Drejtësi.

Presidenti Meta qëndroi të martën 1 orë e 20 minuta në prokurorinë e Tiranës ku sipas tij dha prova dhe dokumente të mjaftueshme që provonin se Dvorani ka shkelur ligjin dhe ka marrë kompetencat e presidentit në emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në një deklaratë për mediat, Meta tha se rasti i Dvoranit është tmerrësisht flagrant dhe prokuroria duhet të zbatojë ligjin dhe të mos ndikohet nga presionet politike.

Më herët kreu i KED-së, Dvorani, referuar akuzave të presidentit ndaj tij, i ka cilësuar ato një përpjekje për shantazh dhe në shkelje të hapur të etikës profesionale. Dvorani thotë se padia e presidentit nuk ka elementë penalë dhe se presidenti e lexon gabim kushtetutën në lidhje me procedurat e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Kreu i KED thotë se të gjitha pretendimet e Metës janë të pavërteta dhe se KED ka zbatuar dispozitat kushtetuese lidhur me listimin dhe respektimin e afatit 30 ditor për emërimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese. Dvorani shpjegon se Meta i bën interpretim të gabuar të Kushtetutës lidhur me vakancat dhe afatet për anëtarët e Kushtetueses. Kreu i KED-së thekson se në të gjitha veprimet e tij, ai ka respektuar Kushtetutën.

Konflikti mes kreut të KED-së dhe Presidentit Meta doli në pah me emërimin e Arta Vorpsit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, pasi presidentit i përfundoi afati 30 ditor që të ushtronte të drejtën për të zgjedhor një anëtar nga lista. Në përfundim të këtij afati KED caktoi të parën në listë që ishte Arta Vorpsi. Por kjo u anatemua nga Meta, i cili akuzoi kreun e KED-së për shkelje të kushtetutës dhe respektimin e afateve dhe radhës që duhet të ndjekin institucionet dhe depozitoi padi penale ndaj tij.



Skip to toolbar