Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, është nominuar edhe për këtë vit si kandidat për Çmimin Nobel në Letërsi, që do të jepet më 11 tetor. Për herë të parë që nga koha kur është dhënë ky çmim, për vitin 2019, Akademia Suedeze do të japë dy “Nobel” për fushën e letrave. Shkaku është pasi çmimi i vitit 2018 u pezullua, pas një skandali seksual të pahijshëm, që çoi në dorëheqjen e shtatë anëtarëve të Akademisë.
Për pasojë trupa gjykuese nuk pati kuorumin e nevojshëm për të marrë një vendim. Ndaj, këtë vit, Nobeli i Letërsisë do të ketë dy fitues, të cilët do të marin një medalje ari dhe rreth 830 mijë euro si shpërblim. Ndër kandidatët e përmendur për këtë çmim janë polakja Olga Tokrczuk, Ismail Kadare nga Shqipëria, novelisti amerikan Joyce Carol Oates dhe Haruki Murakami nga Japonia.
Akademia pritet të shmangë polemikat këtë vit, ndaj për këtë arsye mendohet se një prej fituesve të dy çmimeve, do të jetë grua. Për shkrimtarin shqiptar, Ismail Kadare, është e disata herë që nominohet për të fituar Nobelin e Letërsisë. Në vitin 2017, disa gra folën në media dhe akuzuan një personalitet të kulturës, me lidhje të ngushta me Akademinë, për sulme seksuale, përdhunime apo ngacmime.
Për këtë arsye, në vitin pas ardhës, 7 nga 18 anëtarët e Akademisë dhanë dorëheqjen nga ky institucion. Pas emërimit të anëtarëve të rinj, Akademia është zotuar për më shumë transparencë. Ndërkohë, kandidate për të fituar Nobelin e Paqes, është aktivistja 16-vjeçare e mbrojtjes së mjedisit, Greta Thunberg.