Në kërkesën për gjykim që dy prokurorët Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako kanë firmosur, pa kolegun e tyre Kol Hysenaj, kanë shfajësuar Bashën nga akuza për pastrim parash me argumentin se për të ngritur këtë akuzë, 650 mijë dollarët duhet të vinin nga aktivitet kriminal, dhe që ato para u përdorën vetëm për foto me zyrtarë amerikanë.
News24 ka zbardhur dosjen e plotë penale ndaj shefit të opozitës, Lulzim Basha dhe dy zyrtarëve të tjerë të Partisë Demokratike, të cilët janë marrë zyrtarisht të pandehur për akuzën e falsifikimit të formularëve, përderisa nuk kanë deklaruar një shumë të majme parash të përdorur për lidhjen e kontratave të lobimit më Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Referuar dokumentit të prokurorisë rezulton se kompania e Nicolas Muzin kishte marrë tri pagesa në shumën e 650 mijë dollarëve për punën e bërë në favor të Partisë Demokratike. Njëra nga pagesat është kryer nga kompania ‘Biniata Trade’, e regjistruar në ishujt Belize, pas së cilës janë dy shtetas rus.
Prokurorët thonë se për të qenë përpara veprës penale të pastrimit të parave, duhet që një person të ketë kryer një vepër penale, nga e cila siguron të ardhura, të cilat më pas i vë në qarkullim, duke fshehur të ardhurat që burojnë nga krimi. Në kushtet kur nuk ka vepër penale, prej nga të rrjedhin të ardhura, prokurorët thonë se nuk qëndron vepra e pastrimit të parave.
Një tjetër argument që rendisin prokurorët është edhe kërkesa e lobistit Muzin, bërë përpara autoriteteve amerikane, i cili pretendon garanci të plotë që nuk do të dënohet në Shqipëri dhe në këmbim shpreh dakordësinë të japë dëshminë e tij. Prokurorët thonë se duke ngritur këtë akuzë, mund të bëheshin pengesë për marrjen e dëshmisë së Muzin, ndërkohë që Hysenaj ka kërkuar të jepet kjo garanci e rrjedhimisht të shtyhen hetimet deri në dhjetor që të sigurohet dëshmia e tij.
Më tej, ata pretendojnë se nuk ekziston vepra penale e pastrimit të parave, edhe për faktin se pagesat e kryera për të bërë takime dhe foto me zyrtarë të rëndësishëm të shtetit amerikan, janë një produkt, që nuk gjenerojnë të ardhura që rrjedhin nga vepra penale. Dhe si për “shfajësim”, në përfundim prokurorët thonë se është kompetencë ekskluzive e tyre për të ndryshuar apo saktësuar akuzën deri në fazën e dhënies së konkluzioneve përfundimtare.