Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit Meta mund të dalë me dy raporte përfundimtare. Kështu është shprehur të hënën deputeti i opozitës së re, Alban Zeneli, njëkohësisht nënkryetar i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit.
Sipas Zenelit, maxhoranca dhe opozita në komision mund të dalin me raporte të ndara, megjithëse nuk e sqaron se përse do të dalin me raporte te veçanta kur të dy palët si opozita parlamentare ashtu dhe maxhoranca janë pro shkarkimit të presidentit. Deputetët e të dy kampeve në këtë rast janë shprehur pro shkarkimit të Metës dhe kanë votuar edhe më herët rezolutën e parlamentit për këtë çështje.
“Komisioni mund të ketë dy raporte: mazhoranca mund të ketë të vetin, ndërsa pakica të vetin. Meqënëse shumë gjëra kanë shkuar ashtu si nuk duhet, besoj se komisioni do të dalë me dy raporte hetimore”, deklaroi Zeneli në studion e A2cnn.
Zeneli gjithashtu bën të ditur se raporti i Komisionit të Venecias ende nuk ka shkuar zyrtarisht në komisionin hetimor. Ai thotë se është njohur me përmbajtjen e këtij raporti vetëm nga mediat. Sipas Zenelit cilido që të jetë vendimi i Komisionit Hetimor apo i Kuvendit, fjalën e fundit do ta thotë Gjykata Kushtetuese.
“Nuk kam qenë dakord që politikanët aktivë të komisionit të japin opinione politike, pasi kjo e cenon deri diku edhe integritetin e këtij komisioni hetimor. Duhet të jemi të kujdesshëm. Komisioni ka për detyrë të zbatojë Kushtetutën, ligjin për komisionet hetimore parlamentare dhe kjo është më e rëndësishme se çdo opinion politik që ka secili prej nesh. Opinionet politike që janë dhënë janë shumë të gabuara. Ky komision heton në fund të fundit dhe çdo opinion politik deputetët e kanë dhënë kur kanë votuar për ngritjen e komisionit. Në përfundim të hetimit, çdo deputet i Kuvendit do të japë vendim politik, që në fund do ta marrë në shqyrtim Gjykata Kushtetuese”, theksoi Zeneli.
Raporti i Komisionit të Vencias konstatoi në mënyrë të qartë se presidenti ka shkelur kushtetutën duke anuluar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ky raport do të shyrtohet në Komisionin Parlamentar Hetimor dhe do të përbëjë një bazë të rëndësishme për vendimin përfundimtar të komisionit. Më pas propozimet e Komisionit Hetimor do të kalojnë për miratim në seancë parlamentare, e cila pritet të votojë pro shkarkimit të presidentit. Por gjithsesi fjalën e fundit do ta thotë Gjykata Kushtetuese./realstory.al