Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka vizituar të mërkurën personat e plagosur nga tërmeti. Ajo tha se aktualisht te spitali i Traumës ndodhen të shtruar 62 persona, prej të cilëve 2 janë në gjendje të rëndë për jetën dhe do të nisen drejt Italisë për të marrë mjekim të specializuar. Ndërsa gjithsej kanë marrë ndihmë mjekësore 658 persona të plagosur nga tërmeti.
“Jemi duke marrë informacion për njerëzit që janë nën mjekim. Edhe për ata që kanë pësuar traumë, do të kemi një bashkëpunim me italianët për një trajtim më të specifikuar. Janë trajtuar deri më tani në spitalin e Traumës, në spitalin e Durrësit, në QSUT 658 të lënduar dhe një pjesë e madhe e tyre kanë lënë spitalet, vetëm 62 ndodhen në spital. Dy nga të plagosur, për ndihmë më të specializuar mund të nisen jashtë. Familjarët e tyre i takova, njëri prej rasteve është një djalë ka ardhur me traumë të kokës dhe është për t’u çuar jashtë. Edhe një vajzës i kanë bërë dy ndërhyrje dhe po studiohet për t’u nisur jashtë”, është shprehur Manastirliu.
Ndërkohë ekipet e shpëtimit vijojnë operacionet në shtëpitë dhe pallatet e shembura në Durrës dhe Thumanë ku mendohet se vijojnë ende të ketë njerëz nën rrënoja.