“E ardhmja do jetë e zymtë”, ekspertët për shkrirjen e akullnajave 

AKTUALITET


Sipas një studimi, në 20 vitet e fundit, akullnajat e Kaukazit të Madh kanë humbur 320 kilometra katrorë akull, ndërsa një numër i vogël akullnajash në Kaukaz janë zhdukur tashmë.

Këto ndryshime maten jo vetëm nga shkencëtarët, por edhe nga alpinistët që udhëtojnë shpesh herë drejt lartësive të mëdha.

“Ndryshimet ndihen edhe nga ne. Stinët po ndryshojnë gjithashtu. Muajt kur për alpinistët ishte e sigurt ngjitja nuk ekzistojnë më. Kërcënimi i orteqeve është gjithnjë e më i madh. Kam parë vetë shkrirjen e akujve. Akullnaja Xherxheti, për shembull, që ka qenë e madhe, tani duket mjerane. Është e vështirë ta besosh sa shumë ka ndryshuar në 100 vjet. Nëse vijon kështu, e ardhmja do jetë e zymtë”, u shpreh alpinisti Archil Badriashvili.

Ndryshimet e klimës thuhet se luajtën një rol kyç në shembjen e akullnajës në malin Marmolada të Italisë më 3 korrik, që vrau 11 persona.

Shembja përkoi me temperatura jashtëzakonisht të larta.

Incidenti ngre pyetjen nëse tragjedi të tilla mund të përsëriten. Sipas ekspertëve, akullnajat në Kaukaz po shkrijnë dhe disa prej tyre kanë humbur më shumë se 4 kilometra. Kjo ka bërë që të shtohen liqenet, dukuri që po shkakton gjithashtu probleme.

“Këto akullnaja janë tkurrur me mbi 1 për qind çdo vit, që do të thotë se disa prej tyre mund të zhduken brenda disa dekadave dhe jo shekujve. Akullnajat janë të rëndësishme për ambientin. Ato krijojnë rezervat me ujë të freskët dhe ushqejnë lumenjtë. Kur ato shkrijnë, faqet e maleve bëhen të paqëndrueshme, duke shkaktuar ortekë”, tha  Levan Tielidze, ekspert akullnajash.

Zakonisht janë vetëm shkencëtarët që flasin për pasojat e ndryshimeve të klimës, por tragjedia që ndodhi në Itali ka tronditur njerëzit në të gjithë botën.Shkencëtarët besojnë se problemi duhet të zgjidhet tani, ose pasojat do të jenë të mëdha.



Skip to toolbar