Përçahet marrëdhënia mes ish ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani dhe presidentit Ilir Meta që të dy ish anëtarë të vjetër të LSI-së, por që tani ndajnë pikëpamje të ndryshme. Shkak për përplasjen e tyre është bërë deklarata e Manjanit se Meta nuk ia doli të qetësonte politikën dhe të ulte palët në një dialog, si dhe sulmi frontal që presidenti ndërmori kundër ambasadorëve të huaj në Shqipëri. Presidenti Meta deklaroi të martën në mbrëmje në Ora News se Ylli Manjani po përdoret për të bërë opozitë kundër presidentit, ndërsa tha se ai e kishte bërë ministër kur s’e bënte askush tjetër. Fill pas kësaj deklarate ka reaguar gjerë e gjatë në facebook Ylli Manjani, i cili duket se nuk e ka përtypur lehtë sulmin e ish kryetarit të partisë së tij.
“Natyrisht nuk kam ndërmend të ushqej lajmet me reagime të detajuara, por nuk mund të mos sqaroj disa tymçe të panevojshme që zoti President hodhi në ajër. Së pari, Ai hodhi idenë që “ai djali (dmth unë) të mos përdoret për të goditur figurën e Presidentit”. Hahahahahahahahahahahahahahahahahaha, ende më vjen të qesh, ashtu siç edhe ndjehem i keqardhur që Presidenti të besojë dhe të artikulojë gjëra të tilla! Po të përdoresha, ashtu siç thotë Presidenti, do kisha qenë pak më i efektshëm me karrierën time dhe shumë më rezultativ në “goditjen e figurës së Presidentit”. Se kush po më përdor mua për të sulmuar atë, një dreq e di! Do kisha patur dëshirë ta dija që ti faturoj shërbimin të paktën….
Së dyti, për atë që “më bëri ministër”. Nuk e kam ndaluar për asnjë çast së shprehuri mirënjohjen për këtë gjë. Asnjëherë e anë asnjë rrethanë. Nga ana tjetër kurrë në jetën time nuk i kam kërkuar askujt të më bëjë ministër apo deputet. Politikën e kam parë dhe e shoh si kontribut qytetar dhe jo si agjenci punësimi. Pa dashur të hyj në detajet e emërimit tim si ministër e as të shkarkimit tim, sepse siç thashë nuk dua të ushqej lajmet, u ftova për të ushtruar atë detyrë me objektiva konkrete dhe e dorëzova me objektiva të realizuara. Këtë gjë zoti President e di shumë mirë!”, është shprehur Manjani.
Ai ka sqaruar se ka mbështetur vendimin e opozitës për të djegur mandatet e deputetëve, por sipas Manjanit presidenti duhet të kishte bërë ç’është e mundur pozita dhe opozita të uleshin në një tryezë dialogu.
“Sipas Tij, kush mbron tezën e djegies së mandateve nuk mund të kërkoka tryezë dialogu te Presidenti!!!
Po Presidenti për këtë rast duhet kur opozita është në rrugë, se kur është në Parlament e bën vetë dialogun. Këto janë fakte dhe jo llafe, e as supozime!”, shkruan Manjani.
Lidhur me sulmin ndaj ambasadorëve, Manjani sqaron se përsa kohë ka qenë ministër i Drejtësisë ka pasur komunikim korrekt me të gjithë ambasadorët dhe nuk ka sulmuar askënd nga ato. Ai gjithashtu thotë se presidenti nuk mund të mbulojë krizën presidenciale duke e sulmuar atë.
“Asnjëherë nuk u sulmuan as publikisht e as konfidencialisht nga ana ime. Përkundrazi deri në ditët e fundit të mandatit të tyre, me ata kam patur marrëdhënie korrekte dhe njerëzore. Ndaj nuk kam se si ti sugjeroj Presidentit të përplaset publikisht me ta. E përsëris, e keqja e këtij, vendi është në qeveri dhe jo tek ambasadat. Këtë gjë e kam besuar dhe artikuluar edhe kur kam shërbyer si ministër në ato 15 muaj.
Po nuk pranuam këtë, pra që e keqja është gjithnjë në qeveri, vetëm e mbrojmë qeverinë! Me në fund fare, është krejt normale që Presidenti të mos mendojë seç mendoj unë, por nuk është normale që për të shmangur vemendjen nga thelbi i krizës së Tij presidenciale të merret me mua”, shkruan Manjani.
Duket qartë se edhe Manjani i doli kundër Metës për sulmin ndaj ambasadorëve, ndërsa më herët edhe vetë ka lëshuar akuza ndaj ambasadës amerikane veçanërisht kur SHBA përshëndeti gjetjet e raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 30 qershorit. Qëndrimin e Manjanit në atë kohë i bëri repost edhe presidenti Meta pa i hequr asnjë presje./realstory.al