PD denoncon kreun e Bashkisë Mallakastër: I arrestuar në Greqi

AKTUALITET


Partia Demokratike kërkoi të mërkurën të nisë verifikimet për një tjetër kryetar bashkie, i zgjedhur në 30 qershor të 2019. Bëhet fjalë për kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailaj, që sipas pretendimeve të Partisë Demokratike ka qenë i dënuar në Greqi. Sipas PD, në shkresën dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, “Qerim Ismailaj, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, për shkak se dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Greqi dhe se në periudhën 1999-2000 ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke.

Informacionet e Partisë Demokratike tregojnë se Qerim Ismailaj ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit, për shkak se “pyetjeve nëse është ndaluar apo arrestuar ndonjëherë nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale, nëse është dënuar ndonjëherë nga autoritetet gjyqësore të huaja apo nëse ndaj tij është marrë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj, rezulton se i është përgjigjur me JO”, – thuhet ndër të tjera në deklaratën e PD.


Më tej, Partia Demokratike sqaron se “Sipas ligjit të dekriminalizimit pasqyrimi i të dhënave të pasakta dhe të pavërteta në Formularin e Vetëdeklarimit, përbën vepër penale dhe passjell skualifikimin e menjëhershëm të subjektit nga kandidimi apo ushtrimi i mëtejshëm i funkisonit publik. Në këtë rast, sjell largimin e menjëhershëm nga detyra të Kryebashkiakut të Mallakastrës dhe ndjekjen e tij penale.

Partia Demokratike e Shqipërisë, nisur nga interesi i lartë publik që paraqet kjo çështje, i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme një verifikim dhe reagim institucional të shpejtë, me synim që të arrihet qëllimi kryesor që ka ligji i dekriminalizimit, te largojë personat me te kaluar kriminale të marrin vendime për qytetarët apo të ndikojnë në zgjedhje”, përfundon deklarata e Partisë Demokratike.

Ky është denoncimi i katërt i Partisë Demokratike ndaj kryebashkiakëve të zgjedhur nga Partia Socialiste në zgjedhjet e 30 qershorit 2019. I pari ishte denoncimi për kryebashkiakun e Shkodrës, Valdrin Pjetri. Pak kohë më parë, Prokuroria e Përgjithshme arriti të vërtetonte akuzat e ngritura nga PD për Pjetrin, duke pohuar se ai kishte qenë i dënaur në Itali. Megjithatë, Pjetri nuk arriti të betohej si kryebashkiak pasi dha dorëheqjen.

Më pas PD denoncoi kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku. Edhe për të u vërtetuan akuzat e ngritura nga PD se kishte qenë i arrestuar në Greqi. Kajmaku u shkarkua nga detyra e kryebashkiakut, por ai u largua përpara se Prokuroria të kërkonte ndalimin e tij. Aktualisht Agim Kajmaku është në arrati dhe në kërkim nga Policia. Denoncimi i radhës i fundit në radhë ishte për Kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Mark Babani. Ai vijon të jetë ende në detyrë.




Skip to toolbar