Protestat e opozitës me zjarr e molotov bënë xhiron në mediat më të mëdha të botës në prag të nisjes së sezonit turistik. Tani PD ankohet se në vend mungojnë investitorët e huaj. Pasi ka mbajtur për më shumë se 6 muaj me rradhë vendin në protesta të vazhdueshme duke shpërndarë në botë imazhin e një vendi në kaos e krizë, opozita akuzon qeverinë për mungesën e investitorëve të huaj. Në emër të PD-së, Jorida Tabaku akuzoi qeverinë dhe Ramën për situatën ekonomike të vendit ndërsa citoi fragmente nga raporti i FMN.
“Vendi lëngon në thatësirën ekonomike dhe të investimeve të huaja, shqiptarët vazhdojnë të vuajnë nga varfëria dhe papunësia është rritur.
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit përshkruan arsyet se përse ekonomia shqiptare është e izoluar dhe pa investitorë të huaj.
Është rasti i vetëm në botë ku shumë prej investorëve amerikanë janë larguar nga Shqipëria si pasojë e këtyre problemeve jetike”, u shpreh Tabaku.
Duke iu referuar raportit të DASH, Tabaku përmendi edhe problematikën me çështjen e pronësisë, duke thënë se ka ende familje që nuk kanë marrë pronat e tyre, por edhe për këtë fajin e ka Edi Rama, ndërkohë që ky është një problem 30 vjeçar dhe ai që bëri kaosin me pronat ishte Sali Berisha.
“Një tjetër çështje e rëndësishme është edhe e drejta e pronës, raporti vlerëson se pronarët nuk marrin pronat e tyre të tjetërsuara nga regjimi komunist”, thotë Tabaku, e cila premton se kjo situatë do të marrë fund kur PD të vijë në pushtet.