Një 74-vjeçare u gjet nga policia përmes pamjeve me dron, e cila rezultonte e zhdukur që prej ditës së martë. Ngjara ka ndodhur në Gjirokastër, ku e bija e të moshuarës kishte raportuar zhdukjen nga banesa të nënës së saj. Pas 24 orë kërkimesh dhe përdorimit të dronit nga policia, e moshuara u gjet duke ndenjur në pyllin e fshatit Hundkuq të Gjirokastrës.
74-vjeçarja me iniciale V. F., vuante nga problemet e shëndetit mendor. Familjarët bën denoncimin në polici të martën, pas konstatimit se e moshuara nuk ishte në banesë.
“Largohet nga banesa e moshuara me probleme të shëndetit mendor, gjendet fal kërkimeve me dron nga ana e Policisë. Mesditën e djeshme shtetasja V.F., 74 vjeçe, banuese në Tepelenë, është larguar nga banesa e vajzës së saj në fshatin Hundkuq, Gjirokastër. Të afërmit e shtetases së mësipërme sapo kanë konstatuar mungesën e saj në banesë, kanë kërkuar ndihmën e policisë për ta gjetur.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, pas njoftimit të marrë për largimin nga banesa të shtetases V.F., kanë nisur kërkimet në terren duke përdorur dronin e Policisë. Ditën e sotme, nëpërmjet dronit është bërë lokalizimi dhe gjetja e shtetases V.F., në pyllin e fshatit Hundkuq” thuhet në njoftimin e policisë.