“E qëllova 3 herë me sëpatë se u bë i padurueshëm”. Zbardhet dëshmia e djalit vrasës

AKTUALITET


“E qëllova 3 herë me sëpatë se u bë i padurueshëm”. Kështu është shprehur në gjykatë Arjan Shahaj, i cili vrau babanë e tij Iljaz Shahajn me sëpatë paraditen e së hënës në fshatin Shalës të Memaliajt.

35-vjeçari është shprehur se sherri me të atin ishte momental dhe se nuk kishte menduar kurrë më parë ta qëllonte për vdekje.

Ai tregoi se debati me të atin ishte i vazhdueshëm në lidhje me vajzën me të cilën Arjan Shahaj kishte një lidhje intime. Shahaj rrëfeu në gjykatë se familjarët e vajzës i ishin ankuar të atit që ai ta linte të qetë.

“Në çdo debat në familje babai më kërkonte ta lija rehat. E vrava sepse i kisha thënë të mos me hapte me muhabetin e vajzës, me të cilën kisha lidhje prej kohësh por ai sikur ma bënte kastile. Dje u bë i padurueshëm kështu që e qëllova 3 herë me sëpatë”- tha 35 vjeçari.

Arjan Shahaj ka qenë i dënuar me 8 vite burg për tentativë vrasje të një bashkëfshatari të tij, dënim të cilin e ka kryer. Autori sipas policisë vuan nga probleme mendore, por nuk ka kartelë.



Skip to toolbar