Një javë më herët 34-vjeçari nga Mirdita, Eri Zefi u gjet i vrarë në një kanal në fshatin Zall Xhuxhë të Mirditës, ndërsa të martën kanë dalë detaje nga ekspertiza mjeko-ligjore.
Sipas ekspertëve të mjekësisë ligjore i riu është ekzekutuar me 6 plumba, 4 prej të cilëve e kanë kapur në kokë ndërsa 2 të tjerët në gjoks.
Ndër të tjera në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune dhe vrasja rezulton të ketë ndodhur gjatë natës pikërisht në vendin ku është gjetur trupi i viktimës. Kjo konfirmon faktin se autorët ose autori e ka marrë viktimën deri në pikën ku u gjet i vrarë dhe më pas ka kryer ekzekutimin duke dashur të humbë gjurmët për shkak të terrenit të thyer dhe të papopulluar.
34 vjeçari Eri Zefi u gjet të mërkurën pasdite (2 tetor) i vrarë dhe i hedhur në një kanal në fshatin Zall Xhuxhë të Fanit të Mirditës.
Një nga pistat e dyshuara të policisë është se 34 vjeçari është marrë peng në Rrugën e Kombit dhe më pas është vrarë me një plumb në kokë pikërisht në vendin ku u gjet, në kanal në Zall Xhuxhë të Mirditës.
Një tjetër detaj është se 34 vjeçari mbante dy emra. Ai njihej me emrin Eri Zefi por mbante edhe emrin Anton Zefi.
Megjithëse pasaportizimin e kishte në Adriatik të Kurbinit, 34 vjeçari jetonte me familjen në Durrës, ishte i martuar dhe kishte dhe një fëmijë.
Dyshimet e para lidhur me këtë ngjarje bien pikërisht në një ngjarje të ndodhur pak muaj më parë ku vëllai i tij Ndue Zefi vrau me armë Martin Ndrecën në sy të djalit të tij 10-vjeçar. Ngjarja tragjike ndodhi në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Martin Ndreca dhe Ndue Zefi, të dy me origjinë nga Mirditë dhe fqinj me njëri-tjetrin në Durrës, ndodheshin në një lokal të lagjes, kur kanë nisur një debat mes tyre, që çoi më tej edhe në rrëmbimin momental të autorit, duke e ndjekur Martin Ndrecën deri tek makina, teksa ai ikte për në banesë, ku edhe e vrau.
Kjo ngjarje ka ngritur dyshimet se vrasja e Eri Zefit mund të jetë kryer për shkaqe hakmarrje nga të afërm të viktimës që vëllai i tij la më 24 shkurt të këtij viti.
Megjithatë, policia tha se ende nuk ka prova për të lidhur këtë krim me atë të ndodhur në shkurt, veç dyshimit të arsyeshëm për lidhje të mundshme mes tyre./realstory.al