Eksploziv në derby?, Partizani: Akt terrorist

AKTUALITET


“Akt terrorist i mbetur në tentativë”, e quan Partizani lajmin se tifozët e Tiranës kishin hapur gropa dhe i kishin mbushur me lëndë plasëse. Në një reagim zyrtar të klubit të kuq, Partizani fajëson organizatorët e ndeshjes si bashkëpunëtor me tifozët për skenarin e sipërpërmendur.

“Një akt i vërtet terrorist i mbetur në tentativë rezultoi të ishte parapërgatitur nga një pjesë e tifozerisë pritëse, e cila do të ishte e pamundur të organizohej pa bashkëpunimin (në rastin më të mirë pasiv) të administratorëve të stadiumit “Selman Stërmasi”. Instalimi i një sasie të konsiderueshme eksplozivi pranë sektorit të mbështetësve të Partizanit konsiderohet një vepër e mirëmenduar kriminale, e cila shënjestron drejtpërsëdrejti jetën dhe shëndetin e të gjithë të pranishmëve dhe posaçërisht të lojtarëve të skuadrës sonë”, shkruan Partizani.

Duke u shprehur se “këtë herë është tejkaluar elementi i sigurisë së një aktiviteti sportiv”, Partizani e quan të papranueshëm faktin, që klubi i Tiranës hesht pa thënë asnjë fjalë.

“Klubi e konsideron të papranueshëm faktin që për këtë akt, i cili nëse do të ishte realizuar mund të shënonte një tragjedi me përmasa të frikshme, nuk ka asnjë reagim apo distancim nga KF Tirana si klub organizator i ndeshjes dhe si administratore e stadiumit “Selman Stërmasi”. I bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese që të hetojnë plotësisht këtë vepër të rëndë kriminale dhe të vënë përpara përgjegjësisë organizatorët dhe bashkëpunëtorët e këtij akti të paprecedent”.

Ishte Policia e Shtetit që konfirmoi se ishin gjetur tre gropa të mbushura me lëndë plasëse, të lidhura me mekanizëm ndezës. Policia nisi hetimet për dhunën mes dy tifozerive, duke vënë në pranga një shtetas, shpallur në kërkim 2 të tjerë, dhe nisur hetimet për 6 persona. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, mësohet se shtetasi i arrestuar dhe ata të shpallur në kërkim, janë autorët e hapjes së gropave dhe vendosjes së lëndëve plasëse në stadium.



Skip to toolbar