Emergjencat: 2633 persona të strehuar në hotele. Vijon shembja e banesave

AKTUALITET


Mëngjesin e të hënës, zyra qendrore e menaxhimit të emergjencave doli në një komunikatë për mediat ku  njofton situatën që po kalon vendi. Referuar vendimit të Këshillit të Ministrave për t`u lidhur pension të posaçëm familjeve që humbën të afërmit e tyre nga tërmeti, zyra e emergjencave shprehet se me këto familje po punohet për hapat e tjerë të përfitimit të pensionit si dhe të strehimit.

“U miratuan nga Këshilli i Ministrave paketat e ndihmës për familjet e 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit, që përfshijnë strehimin e menjëhershëm të familjarëve, pensione speciale, si dhe mbulimin e shpenzimeve për ceremonitë mortore; Janë kontaktuar familjet e 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit për të diskutuar me ta hapat konkretë për strehimin e tyre të menjëhershëm dhe fillimin e procedurave për marrjen e pensioneve special”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, zyra e emergjencave njofton se 29 persona të lënduar nga tërmeti vijojnë të marrin ndihmë mjekësore në spital, nga të cilët 22 në Spitalin e Traumës, 4 në Spitalin e Durrësit dhe 3 të tjerë të transferuar jashtë vendit për kurim. Numri i qytetarëve të strehuar në struktura hoteliere në Durrës, Shëngjin dhe Kavajë ka arritur në 2633.

Në hotelet ku janë strehuar qytetarë, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti, vazhdoi të ofrohet shërbim mjekësor dhe ndihmë psiko-sociale pa ndërprerje, u përgatitën listat e fëmijëve dhe vazhduan përgatitjet për transportin e tyre për në shkolla dhe të prindërve për në vendet e tyre të punës.

“Grupi i Ekspertëve të Vlerësimit të Banesave i përbërë nga 70 ekspertë inxhinierë vendas dhe të huaj, të organizuar në 11 grupe, mbështetur edhe nga Mekanizmi i Përbashkët i Emergjencave Civile të Bashkimit Europian dhe Kombeve të Bashkuara, vazhdoi vlerësimin teknik të ndërtesave duke e çuar në 400 numrin e objekteve të vlerësuara”.

“Vazhdoi shembja e banesave të shkatërruara nga tërmeti në bashkinë Durrës, mbi bazën e vendimeve të këshillit bashkiak, sipas vlerësimit teknik zyrtar të ekspertëve. Deri më sot, në qarkun Durrës janë prishur 12 banesa të shkatërruara dhe 5 të tilla në bashkinë Krujë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e zyrës së emergjencave.



Skip to toolbar