Emigrantët shqiptarë në Greqi ankohen se nuk trajtohen si duhet nga Konsullata shqiptare në Selanik sa herë u duhet t’i drejtohen për t’u pajisur me pasaporta.
Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj u shpreh të martën se ka probleme në këtë drejtim por ministria ka marrë masat për të trajtuar në kohë ankesat e emigrantëve shqiptarë në Greqi.
“Kemi filluar një fushatë të komunikimit me qytetarët dhe kemi krijuar një platformë për ankesat. Po punojmë për adresimin e tyre. Nuk do të ketë asnjë ankesë që nuk do të trajtohet. Situata është më e mirë se ka qenë, por nuk do të thotë se është mirë në vetëvete. Përkushtimi është maksimal për të rritur llojin e shërbimeve dhe cilësinë e tyre. Jemi të vetëdijshëm për problemet ekzistuese por nuk mund të zgjidhen brenda ditës”, është shprehur Cakaj.
Në konsullatën shqiptare në Selanik prej disa ditësh emigrantët shqiptarë presin disa orë në radhë për të aplikuar për pasaporta të reja. Shqiptarët që banojnë në këtë qytet, denoncojnë situatën dhe akoma më tepër, sjelljen e punonjësve të konsullatës. Sipas tyre në radhë për pasaporta ka njerëz të të gjitha moshave, edhe gra me fëmijë, që nuk marrin zgjidhje nga zyrtarët e shtetit, të cilët përgjigjen me të bërtitura dhe komunikim pa etikë.