Emrat, 5 kandidatë për BKH, aplikimet deri më 30 janar

AKTUALITET


Kreu i SPAK ka publikuar emrat e 5 kandidatëve që kanë aplikuar për postin e drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe ka bërë thirrje që të interesuarit të aplikojnë se kanë afat deri më 30 janar. 5 kandidatët që kanë paraqitur interes deri tani janë Ibrahim Disha, Artan Shkëmbi, Gjovalin Ulndreaj, Adriatik Ago dhe Sabri Hoxha.

“Do të doja të ritheksoja edhe një herë që aplikimi për Pozicionin e Lirë të Punës për Drejtorin e BKH-së është një mundësi e shkëlqyer për t’u përzgjedhur për të drejtuar një grup të madh hetuesish të BKH-së, të cilët do të mbështesin Prokurorët e Posaçëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. SPAK kërkon një kandidat ose kandidate që demonstron lidership, integritet dhe profesionalizëm. Në qoftë se ju mendoni që i plotësoni kërkesat e këtij pozicioni sfidues dhe kriteret në lidhje me përvojën në punë, arsimin dhe keni një figurë të pastër, aplikoni para datës 30 janar 2020”, njofton Arben Kraja, kryetar i SPAK, i cili garanton kandidatët se procesi i përzgjedhjes do të jetë i drejtë, objektiv dhe transparent.

Pak ditë më herët ambasada amerikane në vendin tonë bëri thirrje që Prokurorët punonjësit e Policisë së Shtetit apo Policisë Gjyqësore, të aplikojnë për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Ajo njoftoi se ka dhënë një fond prej 4 milionë dollarësh, të cilat do të përdoren në mbështetje të përpjekjeve të Shqipërisë për zhvillimin e sistemit etik, transparent dhe profesional të drejtësisë. Ambasada amerikane theksoi se Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH),do të veprojë në mënyrë të ngjashme si FBI-ja. Për këtë post, kreu i SPAK Arben Kraja ka deklaruar se duhet një person me integritet dhe se do të trajnohet nga SHBA.



Skip to toolbar