Nga Sokol Balla – Toronto
Nuk di përse, por sa mbaj mend, çdo botëror futbolli, luhet në një vit kur bota e madhe dhe ajo e imja e vogël, kalojnë turbullira. Në Kupën e Botës në 1982, isha në Kampin e Pionerëve në Durrës, por mes alarmeve për zbarkime diversantësh. Kjo u provua e vërtetë: Xhevdet Mustafa zbarkoi një natë atë verë, dhjetëra kilometra më poshtë, afër Lagunës së Karavastasë. Në 1986, Botërori i Kolumbisë, u spostua në Meksikë. Dhe ishte ngjarja më e bukur e vitit, por që nuk zbehu dot renë e zezë të radioaktivitetit që na erdhi nga Chernobyl. Në 1990, Gjermania shpallej kampione e Botës, ndërsa Tirana u shkund nga ulërimat entuziaste të mbi 3000 shqiptarëve të futur në Ambasadën e saj në kryeqytet. E kështu me radhë: çdo 4 vjet mund të gjej një ngjarje që t’ja ngjis nga pas Botërorit. Ndoshta sepse ajo festë globale rreth topit të rrumbullakët, jo rrallë ka shërbyer si shërim qoftë edhe i përkohshëm, i plagëve të një kombi.
Shikoni se çfarë po ndodh me Iranin. Në mes të një konflikti me vendin mikpritës, Amerikën, lojtarëve të tij u duhet të bëjnë xhiro çdo ditë të ndeshjes, pasi mikpritësit nuk janë dhe aq mikpritës me ta. Veç të tjerave, mes deklaratave të Presidentit amerikan, se “nëse shkelin marrëveshjen, negociatorët e Iranit, nuk do arrijnë dot të kthehen në vendin e tyre”. E megjithatë Irani ështe në prag të kualifikimit, pas dy obarazimeve në një nga grupet më të vështira. Lojtari më i mirë i ndeshjes, një Iranian, iu përgjigj kështu pyetjes se një gazetareje amerikane, lidhur me problemet e vendit të tij: “Këtu kemi ardhur të luajmë futboll. Problemet tona mes nesh, nuk janë puna juaj. Ato do t’i zgjidhim mes nesh”. Pra pranoi problemet, por i mbylli derën një prej arsyeve, që i kishin shkaktuar ato. Nëse ka një koncept patriotizmi, besoj se kjo sjellje është më e afërta me të. Por nuk është rasti i vetëm kur futbolli ka ringjallur një komb. Italia, pas skandaleve në vitet 1982, 1994 dhe 2006. Gjermania kurorëzoi bashkimin, me një kupë bote në 1990. Siç ka dhe raste kur futbolli ka fshehur kriza të mëdha. Si në Brazil në 1970, apo Argjentinë në 1978, kur diktaturat ushtarake, nuk zbehën dot masivitetin popullor të Pele apo Mario Kempes. Edhe Presidenti de Medici, edhe katër gjeneralët e Argjentinës, tentuan të vjedhin popullaritetin e tyre. Sigurisht, pa sukses. Në 2018, megjithëse u bë qull nga shiu, Vladimir Putin këmbënguli të ishte ai që t’i jepte kapitenit të Francës Kupën e Botës. Në 2022 Al Thani vuri kusht, që Messi të vishte një tunikë të zezë locale. Futbolli dhe politika kanë ecur gjithmonë bashkë, megjithëse ka qënë një martesë e pasuksesshme: I pari ka qënë gjithmonë popullor, e dyta, kurrë.
Padyshim ky Botëror vjen në kohët më të pazakonta të dekadës së fundit, siç edhe vjen në formën e re treshtetëse, të organizimit të tij, me Amerikën e Trump (me që ra fjala, edhe ai ka kërkuar ta japë ai vetë Kupën e Botës, ekipit kampion) agresive ndaj Kanadasë “europiane” dhe Meksikës së emigrantëve të paligjshëm. Por për mua Botërori i tretë i Meksikës, mbart dhe nota nostalgjie. 40 vjet më parë, kur nuk kishim as frigorifer dhe as televizor me ngjyra, orët nocturne të ndeshjeve, u kthyen në një eveniment për mua dhe babain tim. Xhaxhi Gimi, komshiu ynë, kishte frigorifer dhe Televizor Dajti. Çdo mesnatë, me kujdes ai hapte derën dhe rehatoheshim të tre (ai, babai im dhe unë) dhe shikonim mrekullitë e Maradonës. Xhaxhi Gimi hapte frigoriferin, na qeraste me kasata dhe me ujë të ftohtë dhe në ato 90 minuta ndiheshim sikur jetonim në një botë tjetër, pa halle dhe pa shqetësime mbijetese. Të gjithë bashkë: unë, im atë, xhaxhi Gimi dhe Maradona.
Sot xhaxhi Gimi, Maradona dhe im atë nuk jetojnë më. Kujtimet po. I solla në vëmendje ndërsa në Toronto, takoja shoqen time të fëmijërisë, vajzën e madhe të xhaxhi Gimit, me të cilën, ndanim dhe pasionin e fortë për librat dhe letërsinë. Jeton këtu prej vitit 1998 bashkë me bashkëshortin e saj, që e njeh prej kur ishin të dy 14 vjeç dhe u takuan në bankat e gjimnazit Qemal Stafa. Lanë Shqipërinë në vitin e keq 1998, meqë ra fjala, vitin e Botërorit francez. Sigurisht jetët tona morën drejtime të ndryshme. E ja ku takohemi sërish: Ra Botërori e u pamë. Por mendjen e kemi te Shqipëria. Më shumë ajo sesa unë. Ndërsa ecim në rrugë, më tregon vendin ku pak ditë më parë disa qindra shqiptarë, ishin mbledhur në solidaritet me protestën në Tiranë. Më tha se ishte habitur që në protestë kishin dalë kryesisht të majtë. Kështu është emigracioni në Kanada. Janë kryesisht profesionistë dhe të përzgjedhur nga sistemi kanadez i emigracionit. Edhe shoqja ime, edhe bashkëshorti i saj, megjithëse janë pak më shumë se 50 vjeç, janë të dy CEO në dy kompani, njëra kanadeze, tjetra ndërkombëtare. Nuk e pyeta përse nuk kishte dalë edhe ajo në protestë. Familja e saj ishte e djathtë. Por më vonë më tha se i vëllai – ai kishte qënë nga të rinjtë e zjarrtë në dhjetor 1990 – i kishte pohuar se nuk mund të dilte e të mbështeste sërish një plak të lodhur, që kërkonte të bëhej dhëndër 85 vjeç. Shoqja ime kërkonte të kuptonte se çfarë po ndodhte. Më vonë gjatë bisedës më tha se kishte investuar në një pronë në Gjirin e Lalzit. “Po pse në Lalz, e jo në Florida?”. Më dha disa argumente por asnjë prej tyre nuk iu duk bindës, bashkëbiseduesit të saj, i cili megjithëse jeton e punon në Shqipëri, nuk ka qënë kurrë në Zvërnec dhe në Gji të Lalzit ka shkuar vetëm për dasmën e Getoarit. Por bindja e saj dhe e bashkëshortit, mesa duket ishte: kthim në Shqipëri për pjesën e fundit të jetës. Një tjetër shok i imi, (brother from another mother, e quaj unë me humor), edhe ai mendon ta lërë dikur Zvicrën e të jetojë në Shqipëri. Të dy këta miq të mi, nuk kanë ardhur në protestën e Tiranës. Por kanë investuar tek e ardhmja e Shqipërisë. Dhe me shqetësim shohin nëse Ajo po rrëshqet sërish në kaos. Janë aksionerë tek një e ardhme, që ndoshta për momentin është më e pasigurt se kurrë. Ndahem me të, me idenë se diaspora shqiptare, ajo e vërteta, investon te e ardhmja e Shqipërisë, dhe nuk vjen vetëm në verë, të shkojë në Dhërmi e të gjejë nuse me Lamborghini me timon djathtas.
Ndërkohë më vjen mesazhi se njerëz me maska kanë grisur flamurin e Izraelit, pasi e kanë shkulur prej ambasadës së tij në Tiranë. Desha t’ja nisja mesazhin shoqes sime dhe t’i thoja, ta rimendonte dhe njëherë Miamin. Por nuk arrita dot. “Ishte kenaqësi e madhe që kujtuam sot, xhaxhi Gimin dhe babin tim. Përqafime nga ne. Shihemi në Shqipëri”. E lashë. Shqiptarët janë optimistë të pandreqshëm. Gjynah që nuk ja dolëm të ishim në Botëror. Ku i dihej pastaj? Titulli kampion do ishte vetëm 7 ndeshje larg.
Kërkoj një Uber për të shkuar në stadium. Luan Gjermania me Bregun e Fildishtë, por nga Tirana më thonë se kjo ndeshje nuk duket se ka ndikuar kësaj radhe në bulevard. Në protestë kësaj radhe kanë ardhur më shumë tifozë të Anglisë dhe një ultrafanse VIP e Vermoshit. Shoferi i Uberit ndërkohë quhet Dmytro dhe më sheh vëngër. Në dorën e djathtë mban byzylyk verdheblu. Pra është ukrainas dhe kuptohet: emri im, i kujton ndoshta Rusinë? I them që jam nga Shqipëria. Duket më i lehtësuar. Lehtësohem edhe unë dhe e pyes dhe sa kohë do na duhet derisa të arrijmë në stadium. Kthen kokën: “Shumë protesta në Tiranë këto ditë…” I them që njerëzit janë të ndarë. “E di. Për shkak të investimit të familjes Trump”. Mundohem t’i shpjegoj se nuk është vetëm për këtë. Por Dmytro nuk ka nevojë për shumë detaje. Ai është i qartë: “Po përse duhet patjetër që t’i merrnit paratë nga Donald Trump?” E thotë me kaq seriozitet, ndërkohë që është një emigrant ukrainas, që jeton në Kanadanë “europiane”. Çdo qenie kudo në botë, ka mendjen e vet. Edhe kur vjen puna për Zvërnecin, apo Donald Trump.
Unë ndërkohë e kam mendjen te Gjermania. Ndoshta një vit kaq i rrëmujshëm për ne, mund të jetë një ogur i mirë për Panzerat. Ashtu si në korrik 1990, kur më shumë se të gjithë, klithëm ne shqiptarët në Tiranë, kur Matthaeus ngriti Kupën e Botës në Romë. Cdo gjë është mirë, kur mbaron mirë.
Ende Gut, Alles Gut.
Toronto, 22 qershor 2026.
