Moti i keq me erë të fortë ka shkaktuar dëme në qarkun e Vlorës duke rrëzuar shtyllat elektrike dhe duke nxjerrë jashtë përdorimit Fidrin R1 të nënstacionit të Radhimës. Për pasojë disa fshatra të Vlorës kanë mbetur pa energji elektrike, siç janë Dukati, Tragjasi, Llogaraja, Radhima etj. OSHEE njofton se ka ngritur një grup pune i cili po punon në terren për të riparuar defektin dhe për të rikthyer energjinë elektrike.
Moti i keq në Vlorë ka shkaktuar probleme edhe me lëvizjen e trageteve duke pezulluar udhëtimet drejt Italisë.
Për shkak të detit me dallgë të mëdha Kapiteneria e Vlorës ka urdhëruar ndalimin e lundrimeve të gjitha mjeteve të peshkimit dhe trageteve të udhëtimit.
Është pezulluar lundrimi i tragetit të linjës Vlorë-Brindisi i cili ka qëndruar në Itali. Për dy ditët e ardhshme nuk do të ketë lundrim të tij deri në datë 14 nëntor në mëngjes.