Aplikim online dhe shërbim në zyrë. I vjen fundi “makthit” të sporteleve

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama njoftoi se duke nisur nga viti i ardhshëm, qytetarëve shqiptarë do t`u lehtësohet marrja e shërbimeve. Nga takimi i përjavshëm për bashkëqeverisjen, Rama njoftoi se vitin e ardhshëm të gjitha kërkesat e qytetarëve do të bëhen online, duke shmangur pritjen nëpër sportele. Konkretisht, sipas kryeministrit, kur një qytetari i duhen disa dokumente që merren në sportele të ndryshme për një shërbim të caktuar, ato do të sigurohen nga stafi i institucionit.

“Duke qenë se e nisëm 6 vjet më parë me vetëm tre shërbime online dhe sot kemi mbi 350 shërbime që ofrohen online nëpërmjet portali e-Albania. Ka ardhur koha që të bëjmë një hap të madh përpara dhe të kalojmë duke filluar nga viti i ardhshëm për një periudhë relativisht të shkurtër në heqjen e të gjitha letrave, dosjeve, dokumenteve për kërkesat e qytetarëve në masën mbi 90%. Do të jetë një përmbysje madhe sepse shumë shërbime nuk do të jepen më duke e kërkuar qytetarin që të vij te sporteli, por duke i dhënë mundësinë qytetarit të aplikojë online nga telefoni, nga kompjuteri”.


“Jo vetëm kaq por do të heqim kërkesën për qytetarët që të sjellin dokumente shtetërore, që do të thotë që, nëse ti bën një kërkesë dhe për këtë duhen 20 dokumente, nga këto 20 dokumente, një, dy, tre dokumente janë privat, pra, është një vërtetim bankar, një vërtetim nga vendi i punës në privat, apo një vërtetim nga ndonjë institucion për arsye kur ke qenë në emigracion, do t’i gjesh vetë. Dokumentet që janë shtetërore do t’i kërkojnë dhe do t’i gjejnë për qytetarin ata që rrinë atje te sporteli dhe janë mësuar vetëm t’i thonë qytetarit edhe këtë. Brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm ne do të mbyllim të gjitha sportelet për aplikimet”, tha Rama.




Skip to toolbar