Erdogan beson se marrëveshja për grurin e Ukrainës do të vazhdojë

BOTA


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se beson se marrëveshja që i mundëson Ukrainës të eksportojë grurë përmes Detit të Zi, do të mbetet në fuqi.

Afati i kësaj marrëveshjeje, tash për tash, është i paraparë të skadojë të shtunën.


“Unë jam i mendimit se do të vazhdojë. Nuk ka asnjë problem këtu”, tha Erdogan në një konferencë për media në Bali të Indonezisë, ku po mbahet samiti i vendeve më të industrializuara, G20.

Ukraina është një nga prodhueset kryesore të grurit në botë.

Lufta që ka nisur Rusia kundër saj në fund të shkurtit, ka bllokuar 20 milionë tonë drithëra në portet e saj.

Por, Kombet e Bashkuara dhe Turqia kanë arritur të ndërmjetësojnë një marrëveshje për eksportin e tyre në muajin korrik.

Erdogan tha se do të flasë me presidentin rus, Vladimir Putin, sapo të kthehet në Turqi.

“…sepse rruga drejt paqes kalon përmes dialogut”, tha ai.

Një marrëveshje tjetër, e ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia dhe e nënshkruar gjithashtu në muajin korrik, mundëson eksportet e ushqimeve nga Rusia, pavarësisht sanksioneve që i ka vendosur Perëndimi pas pushtimit të Ukrainës.




Skip to toolbar