Esposito: Draftkodi i ri Procedurës Penale vendos në ekuilibër paketën e reformave me standardet europiane

AKTUALITET


“Përgatitja e Kodit të Procedurës Penale është një nga sipërmarrjet më të rëndësishme të një vendi, pasi përcakton mënyrën e mbledhjes së provave, marrjes në pyetje, kufizimit të lirisë dhe zbatimit të ndëshkimeve penale”, deklaroi Gianluca Esposito, drejtor i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Europës.

Duke folur në takimin e zhvilluar sot në Tiranë, në kuadër të prezantimit të Paketës së Re të Garancive në Kodin e Procedurës Penale, Esposito theksoi se një kod i tillë ka një rol të rëndësishëm edhe në përcaktimin e së vërtetës dhe mbrojtjen e viktimave, duke ndihmuar në ruajtjen e besimit të publikut te drejtësia.

“Efektiviteti i luftës kundër krimit nuk matet me pjesëmarrjen e njerëzve që marrin pjesë, por me sasinë e masave që merren”, u shpreh ai.

Esposito tha se kuadri ligjor i Kodit të Procedurës Penale mbështetet në konventat europiane, të cilat përcaktojnë standarde dhe përgjegjësi për sistemet e drejtësisë penale.

“Muajt e fundit, me kërkesë të Kryeministrit, Këshilli i Europës ka dhënë mbështetje për këtë proces, duke ndihmuar për ta përafruar draftin me standardet europiane”, deklaroi Esposito.

Ai vlerësoi procesin e hartimit të paketës së re, duke theksuar se ai përfshin një sërë çështjesh të rëndësishme dhe shprehje të angazhimit për reflektimin e standardeve europiane në legjislacionin penal.

Sipas tij, drafti vendos në ekuilibër paketën e reformave me standardet europiane dhe forcon të drejtat e të akuzuarve dhe mbrojtjen e tyre. Ky proces, tha Esposito, tregon angazhimin e institucioneve shqiptare për përafrimin e sistemit me direktivat e Bashkimit Europian dhe standardet europiane.

“Një kod i mirë penal duhet të jetë një mjet për të parandaluar shkeljet dhe duhet të mbështesë një drejtësi të drejtë dhe të ligjshme. Ne, si Këshill i Europës, do të vazhdojmë t’ju mbështesim sipas nevojës, ndërsa jemi të kënaqur deri këtu ku kemi arritur, që po publikohet drafti i Kodit të Procedurës Penale”, deklaroi Esposito./ata



Skip to toolbar