Vjeshta pritet të sjellë stabilizim të kursit të këmbimit valuator. Një euro po këmbehet gjatë së enjtes me rreth 104 lekë ndërsa Banka e Shqipërisë analizon se ndërhyrjet e fundit për blerjen e eurove në treg kanë qenë efektive edhe pse jemi në pikun e sezonit utristik dhe prurjet e eurove janë shumë të mëdha.
Erald Themeli, drejtor i politikës monetare thekson se nëse vijon mbiçmimi i lekut ndërhyrjet në treg të Bankës mund të intensifikohen ndërsa vijon monitorimi i tregut. Vlerësimet e Bankës Qendrore tregojnë se në mungesë të forcimit të kursit të këmbimit, norma e inflacionit do të ishte 2.5 pikë më e lartë.
Banka e Shqipërisë thekson se ecuria e ekonomisë shqiptare ka pasur ritme pozitive në pjesën e parë të vitit dhe pritet e njëjta tendencë edhe për muajt e ardhshëm.
Inflacioni në vend ka pësuar një ulje të konsiderueshme gjatë muajve të fundit duke prekur nivelin 4.2% në korrik.Por pavarësisht kësaj Banka e Shqipërisë thekson se do të vijoj rritja e normës së interesit pasi ka një sërë rreziqesh.
Banka e Shqipërisë parashikon që rritja ekonomike e Shqipërisë do të arrijë në 3.5% gjatë vitit 2023.