Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku thotë se grup kapitujt e parë, që u hapën me Bashkimin Evropian, janë themelorë pasi në të përfshihen zgjedhjet, korrupsioni, krimi i organizuar dhe kriteri ekonomik.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Tabaku u shpreh se Evropën duhet ta ndërtojmë në Shqipëri dhe këtu iu referua standardeve.
Tabaku shtoi se vendi do të hyjë në Bashkimin Evropian, kur treguesit ekonomikë të jenë të njëjta me të vendeve të unionit.
“Kam disa vite që them, ta ndërtojmë Evropën këtu. Kur themi ta ndërtojmë Evropën këtu, i referohem njëkohësisht standardeve. Nuk bëhet fjala që po ngre disa gradaçela dhe po na duket sikur jemi në Frankfurt. I referohemi standardeve, standardeve të zgjedhjeve, të vendimit të zbatimit të gjykatave, të luftës ndaj korrupsionit, të elementëve që janë në grup kapitullin e parë. Unë jam e sigurt, në grup kapitullin e parë janë edhe çështjet ekonomike që unë i kam përzemër. Kjo është lista. Ky është grupi që quhet Themeloret, që hapet i pari dhe mbyllet i fundit. Metodologjia e re lejon që paralelisht, ti të hapësh shumë fusha, nëse ke kapacitete. Ky, që quhet Themeloret, është i pari dhe mbyllet i fundit, është treguesi, lakmuesi për të gjitha reformat. Këtu ke elementë politikë, zgjedhjet, korrupsionin, krimin e organizuar, këtu ke kriterin ekonomik. Ne do të hyjmë në Evropë kur ato të dhëna, tregues ekonomikë të secilit prej nesh, të jenë të njëjta me të secilit prej tyre”, theksoi ajo.