Ferrari e ka nisur mbarë gjysmën e dytë të sezonit të botërorit të Formula 1. Piloti i kokëkuqes, Chalres Leclerc ka dominuar provat zyrtare duke vendosur kohën më të mirë me 1`42“644 të qindat, duke fituar ‘pole position’ për garën e Çmimit të Madh të Belgjikës.
Në pistën e SPA, është rikthyer në formë edhe piloti tjetër i Ferrarit, Sebastian Vettel, i cili të dielën do të niset nga krah Leclerc nga vendi i dytë në pistë. Për pilotin nga Monaco të Ferrarit, Charles Leclerc, kjo është hera e katërt që fiton një ‘pole position’.
Ndërkohë, treshja e parë e garës për të dielën plotësohet nga piloti i Mercedes, Lewis Hamilton, i cili ishte 8 të dhjetat më i avashtë se Leclerc, ndërsa pas Hamilton do të jetë shoku i tij i skuadrës Valtteri Bottas.
Makina e Mercedes nuk dha atë që prisnin këtë të shtunë në Belgjikë, ndërsa Ferrari tregoi se ka pasur ndryshime të mëdha gjatë pushimeve të verës, duke u rikthyer pretendete pas garave të para ku kokëkuqja ka pasur shumë probleme.