Festa e SHBA bashkon Metën dhe Ruçin, mungon Rama. Basha e Kryemadhi të ndarë në takim!

AKTUALITET


Presidenti Ilir Meta dhe kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi janë shfaqur bashkë në festën e organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, me rastin e festës së pavarësisë. Realstory.al ka siguruar një foto, ku kreu i shtetit bashkë me kreun e Kuvendit, rrinë bashkë duke dëgjuar fjalimin e të ngarkuarës me punë të SHBA-së në Tiranë, Leyla Moses-Ones. Kjo është shfaqja e parë publike e Ilir Metës dhe Gramoz Ruçit, të dy bashkë, që pas vendimit të mazhorancës për shkarkimin e Presidentit. Të dy plitikanët kanë ndjekur fjalimin e Leyla Moses-Ones, e cila ka folur për bazën e funksionimit të shtetit në SHBA, Kushtetutën.

Në Shqipëri, mazhoranca e akuzon Ilir Metën si shkelës të Kushtetutës, me vendimin e datës 10 qershor, ku nxorri dekretin e anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit. Ky ishte një vendim i pabazuar në Kushtetutë, që solli më pas ashpërsimin e marrëdhënieve mes Presidentit dhe Qeverisë, deri në vendimin për shkarkimin e kreut të shtetit. Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, morën rol parësor në mbrojtjen e Kushtetutës së Shqipërisë, duke i dhënë të drejtë dekretit të fundvitit të kaluar, për zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, si të vetmes datë legjitime kushtuese. Reagimi i SHBA-së për njohjen e 30 qershorit, u pasua nga sulme të paprecedenta të Presidentit ndaj partnerëve tanë strategjik.

Ndërkohë, në festën e organizuar nga ambasada e SHBA, kanë marrë pjesë edhe Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, të cilët janë shfaqur të ndarë në këtë aktivitet. Në sy ka rënë mungesa e Kryeministrit Edi Rama. Mbetet e pakonfirmuar nëse kreu i Qeverisë ka pasur diçka tjetër në axhendë gjatë ditës së enjte, duke mos pasur mundësi për të marrë pjesë në këtë festë, apo kjo ka qenë një zgjedhje e vetë Ramës.



Skip to toolbar