Festat, sekuestrohet lëndë piroteknike me fuqi të lartë shpërthyese

AKTUALITET


Pas kontrollit në një magazinë, policia e Tiranës konstatoi një sasi të mëdha lëndësh piroteknike. Gjatë aksionit u sekuestruan 12 metër kub lëndë piroteknike me fuqi të lartë shpërthyese të rrezikshme për jetën e qytetarëve.

Po asHtu u vu në pranga poseduesi i lëndëve i lëndëve piroteknike, si dhe u procedua penalisht pronarja e subjektit që i kishte i vënë në dispozicion ambientin për magazinimin e tyre.


Gjatë kontrolleve të nisura që prej fillimit të muajit dhjetor, në të gjithë vendin janë konstatuar e goditur edhe disa raste të tjera në Dibër, Tiranë, Durrës, Lezhë, Korçë etj, ku janë proceduar penalisht 5 shtetas.

NJOFTIMI I PLOTE
Strukturat e Policisë në të gjithë vendin, bazuar në Ligjin “Për përdorimin civil të lëndëve plasëse, lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve në Republikën e Shqipërisë”, Urdhrit të MB “Për miratimin e rregullores për mënyrën, kushtet dhe kriteret e magazinimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve”, urdhrit të përbashkët të MB, MM dhe MFE “Për ndalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve dhe përdorimin civil, që rrezikojnë sigurinë publike, jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, si dhe në telegramin e DPPSH “Për zbatimin e kërkesave të rregullores “Për mënyrën, kushtet dhe kriteret e magazinimit e përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve”, kanë ushtruar kontrolle në vijimësi për këtë qëllim.

Si rezultat i kontrolleve të pandërprera, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, si dhe pas një hetimi dyjavor nga strukturat e krimit ekonomik, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë, gjatë paradites së sotme, në një objekt të përshtatur si magazinë, tek tregu ushqimor në Qytetin e Nxënësve, kanë gjetur të magazinuara jashtë çdo kushti të sigurisë teknike dhe të futura kontrabandë, një sasi të madhe lëndësh piroteknike, me fuqi të lartë shpërthyese të rrezikshme për jetën e qytetarëve në rast përdorimi nga ana e tyre.

Pronari i magazinës, shtetasi V. M., 36 vjeç, i kishte futur këto sasi të mëdha lëndësh piroteknike në mënyrë kontrabandë nga Kosova, duke i futur në ambalazhe ushqimore.

Shtetasi V. M. dhe shtetasja E. Sh. u shoqëruan në ambientet e Policisë dhe në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. M., si dhe u procedua penalisht shtetasja E. Sh., për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve, vulave, stampave dhe formularëve”, “Kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Tregtim dhe transportim i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Shkelje e të drejtës së pronësisë industriale”.

Vetëm javën e fundit në të gjithë vendin janë kontrolluar 378 subjekte (dyqane të ndryshme, makete apo supermarkete), si dhe tregje të shumicës.

Me qëllim krijimin e mjedisi të sigurt për qytetarët, marrjen e masave për zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore, për parandalimin e shkeljeve dhe ngjarjeve të ndryshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit iu ka kërkuar të gjitha strukturave vendore të Policisë të intensifikojnë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe të monitorojnë zbatimin e masave anticovid.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të tregtimit apo përdorimit të fishekzjarrëve dhe lëndëve piroteknike, duke u garantuar ruajtje të anonimatit dhe reagim të shpejtë e të paanshëm. Njëkohësisht, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe të bizneseve që të respektojnë masat anticovid në interes të shëndetit të qytetarëve dhe të festojnë ndërrimin e viteve në shtëpitë e tyre, pasi nuk do lejohen daljet nëpër rrugë e sheshe.




Skip to toolbar