Finlanda mbështet hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe është e angazhuar për të lobuar tek vendet e tjera anëtare të japin po të njëjtën vendim pozitiv më 18 tetor. Lajmi i mirë është konfirmuar nga ministri i jashtëm Gent Cakaj, pas takimit që zhvilloi me homologun e tij finlandez, Pekka Haavisto. Ministri finlandez tha se vendimi për hapjen e negociatave do të merret në unanimitet, duke vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria. Në lidhje me problemet e brendshme të BE, Haavisto tha se nuk kanë pse të pengojnë procesin e zgjerimit me këto vende, me të cilat ndahen të njëjta vlera të përbashkëta.
“Ne nuk jemi të vetëm në marrjen e vendimit, por ai duhet të merret në unanimitet me të gjitha vendet. Ne jemi në bisedime me të gjitha vendet dhe me Tiranën për progresin e bërë. Vendet nuk i bëjnë këto ndryshime për shkak të BE, por për zhvillimin e tyre. Të gjitha këto hapa janë pjesë e demokracisë dhe transparencës demokratike. Problemet e tyre të brendshme nuk kanë pse të pengojnë procesin e zgjerimit”, theksoi Haavisto.
Ministri Cakaj tha se është një sinjal i mirë që Finlanda po ndihmon në lobimin pro Shqipërisë në vendet anëtare të BE, ndërsa shtoi se dhe angazhimi politik dhe diplomatik i qeverisë është fokusuar për të siguruar mbështetjen e vendeve anëtare për çeljen e negociatave në tetor.
“Finlanda është mbështetëse për një vendim pozitiv për Shqipërinë në tetor dhe po angazhohet drejtpërdrejtë në punën për të bindur vendet anëtare të bëjnë të njëjtën gjë. Për më shumë, krahas mbështetjes politike, Finlanda ka dhënë një mbështetje të konsiderueshme teknike në shërbim të përmbushjes së detyrimeve të Kapitullit 12 (siguria ushqimore, veterinaria dhe politikat fitosanitare) të legjislacionit evropian.” – tha Cakaj
Finlanda është shteti që mban kryesinë e radhës të Këshillit të Bashkimit Europian, dhe sigurisht që një punë lobuese e tij pro Shqipërisë do të ishte një ndihmë e madhe në lidhje me marrjen e dritës jeshile edhe nga vendet e tjera anëtare. Më 26 shtator Bundestagu miratoi me 395 vota rezolutën pro hapjes së negociatave me Shqipërinë, një vendim që pritet të ketë ndikim edhe tek vendet skeptike të BE. Franca, Holanda dhe Greqia, të cilat janë treguar më skeptiket në lidhje me hapjen e negociatave për Shqipërinë, ende nuk kanë shprehur një vendim.