“Vendimmarrja varet nga dinamikat e brendshme të BE”, Rama flet për DW: Pikëpamjet e ndryshme legjitime, nuk përbëjnë arsye për rezerva

Kryeministri Edi Rama flet në një intervistë për DW për dyzimet gjermane ndaj konferencës së parë për negociatat me BE, zgjedhjet në Shqipëri dhe rolin si kryetar i radhës i OSBE-së.

Deutsche Welle: Zoti Rama, cili është qëllimi i vizitës suaj në Gjermani?

Edi Rama: Jam i ftuar në një forum të rëndësishëm të politik-bërjes në Bavari, me një qëndresë të shkurtër në Berlin, ku u takova me një grup përfaqësuesish të Bundestagut dhe të sektorit privat për të biseduar për perspektivën ekonomike dhe politike të vendit, si edhe perspektivën në këto dy drejtime.


Ju nuk patët rastin të takoheshit me Kancelaren Angela Merkel. Cila qe arsyeja?

Nuk kam ardhur në këtë udhëtim për të takuar Kancelaren Merkel. Kam ardhur për të shkuar në forumin e politik-bërjes dhe ndalesa e mbrëmshme (17.09.shën red.) në Berlin ka qenë thjesht dhe vetëm për të nderuar ftesën e një përfaqësie të gjerë politikanësh dhe sipërmarrësish që dëshironin të ndanin me mua opinione dhe që kanë një interes të veçantë për Shqipërinë. Me Kancelaren jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe s’ka asnjë problem.

Shqipëria është në pritje të datës së negociatave. Kur mendoni se do të fillojë konferenca e parë ndërqeveritare?

Këtë do ta shohim në varësi të vendimit që do të marrë Këshilli Europian. Por ajo që është e padyshimtë, është që ne po ecim në mënyrë intensive në hedhjen e hapave të mëtejshëm dhe, pavarësisht se çfarë do të vendosë Këshilli Europian, që ne e dimë që është një vendimmarrje që varet shumë më tepër nga dinamikat e brendshme, se sa nga çfarë bëjmë ne, ne do të vazhdojmë me vullnet dhe me durim. Dhe shpresoj që Konferenca do të ndodhë në fund të këtij viti, dhe nëse nuk ndodh në fund të këtij viti, ajo do të ndodhë vitin e ardhshëm dhe kjo është thjesht një çështje, që e përsëris ka të bëjë me dinamikat e brendshme në Bashkimin Europian.

Megjithatë, qarqe nga grupi CDU/CSU në Parlamentin Gjerman ngurrojnë të fillojnë negociatat me Shqipërinë, pasi janë të zhgënjyer nga ndryshimi i Kushtetutës që u bë menjëherë pas arritjes së marrëveshjes zgjedhore me ndërhyrje të fortë nga pala ndërkombëtare.

Gjermania është një vend demokratik. Ka vend për të gjithë zërat. Ajo që unë besoj është që, në konkluzion, ne kemi bërë gjënë e duhur për vendin tonë, kemi bërë gjënë e duhur për sistemin zgjedhor, dhe kemi bërë gjënë e duhur në funksion të ambicies sonë për të konsoliduar më tutje procesin zgjedhor dhe procesin demokratik. Dhe jam i bindur që, pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme që janë absolutisht legjitime, kjo nuk do të përbëjë asnjë arsye për të pasur ndonjë rezervë mbi Shqipërinë.

Një temë tjetër që shikohet sërish me rezerva në të njëjtat qarqe është ligji anti-shpifje. A keni ndër mend ta ndryshoni në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecies?

Gjermania ka një nga ligjet më të fortë kundër shpifjes dhe faktikisht ne dëshironim që të kishim një ligj që të bazohej në modelin gjerman, por duke qenë se ne jemi një vend shumë më i vogël se Gjermania dhe me shumë më pak zë se Gjermania nga miqtë tanë në Këshillin e Europës apo në OSBE na u tha që ne nuk mund të aplikojmë ligjin gjerman, sepse do të ishte një ligj i rrezikshëm për Shqipërinë. Kjo është bota ku jetojmë. Ne kemi bërë një ligj, i cili është absolutisht i domosdoshëm, do të marrim në konsideratë rekomandimet e Komisionit të Venecias, por Shqipërinë, si vatrën më të nxehtë të shpifjeve në Europë, ne nuk do ta lëmë.

Shqipëria është para zgjedhjeve. Çfarë do të bëni ju për të garantuar që pas zgjedhjeve Shqipëria të ketë një sistem të fortë pluralist partiak që përfaqësohet edhe në parlament?

Nuk ka qenë ndonjëherë në diskutim sistemi pluralist që nga viti 1990. Sistemi pluralist vihet në diskutim, nëse një qeveri apo një shumicë pengon pjesëmarrjen në zgjedhje. Nuk vihet në diskutim, nëse një parti vendos të ikë nga zgjedhjet. Është një vendim katastrofik për ata që e marrin. Sigurisht, nuk është një vendim që i bën nder vendit apo që ndihmon në shkëlqimin e demokracisë. Por nuk është absolutisht një vendim që cenon pluralizmin.

Shqipëria është aktualisht kryetare e radhë së OSBE-së. Ju keni dalë me një propozim për të ndërmjetësuar në konfliktin me Bjellorusinë., i cili është mbështetur dhe nga Gjermania. Çfarë mund të bëjë Shqipëria në këtë konflikt?

Ne kemi drejtimin e OSBE-së dhe unë jam shumë krenar, që drejtimi i OSBE-së ka pasur dhe ka admirim nga të gjithë partnerët. Oferta jonë për Bjellorusinë në funksion dhe në emër të OSBE-së, jo në emër të Shqipërisë, është një ofertë që është mbështetur tërësisht nga të gjithë partnerët, nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian. Ka rënë në vesh të shurdhët në Minsk deri tani që flasim, ndërkohë që situata e të drejtave të njeriut aty përkeqësohet dhe padyshim, unë e konsideroj këtë një gabim strategjik të autoriteteve në Bjellorusi, pasi OSBE-ja nuk ka qëllim të imponojë asgjë pasi të lehtësojë rrugën për të hapur një kanal dialogu me opozitën.

Ju erdhët në Gjermani, pasi më parë kishit qenë në Turqi dhe Greqi. Kjo e fundit aktualisht po përballet me një krizë të fortë refugjatësh. Gjermania po i vjen në ndihmë dhe ka vendosur të marrë 1500 refugjatë. Jo të gjithë e përshëndesin këtë vendim, si e shikoni ju dhe si mendoni se mund të zgjidhet kriza e refugjatëve aktualisht?

Gjermania është një model i admirueshëm edhe falë kancelares Merkel është një shembull absolutisht domethënës, kuptimplotë, frymëzues për mënyrën se si bota e civilizuar dhe sesi demokracitë e kësaj bote duhet t’i qasen çështjes së të drejtave të njerëzve që ikin nga situata shumë të rënda dhe kërcënuese për jetën e tyre. Ndërkohë që besoj që në këtë aspekt, Turqia dhe Greqia kanë një rol të dorës së parë dhe patjetër që ky është një nga aspektet ku mund të shihet fare qartë se sa e rëndësishme është Turqia për Evropën.

Ju ishit më parë në Turqi dhe Greqi, ku u takuat me presidentin turk Erdogan dhe kryeministrin Mitsotakis. A mund të ndërhyjë Shqipëria për zbutjen e konfliktit Greqi-Turqi?

Ne jemi shumë të vegjël për të bërë të tilla punë të mëdha për botën. Por patjetër, besoj që mundësia për të thënë fjalën tonë, për të thënë fjalën time, është një nga rrugët për të nxitur komunikimin, dialogun, dhe kam bindjen, që, duke njohur të dy liderët që ju përmendët, që nëse ata ulen së bashku, patjetër që do të gjejnë zgjidhjen. Nuk ka nevojë për interferenca dhe ndërhyrje të tjera, sepse bëhet fjalë për dy liderë me një staturë dhe një talent politik të padiskutueshëm. Sigurisht që presidenti Erdogan është një figurë e fortë dhe një figurë që ka një peshë të madhe. Por edhe kryeministri Mitsotakis është përfaqësuesi i një vendi që ka një rëndësi të madhe për Europën. Turqia është strategjike për sigurinë e Europës, Greqia është strategjike për kufijtë e Europës dhe Greqia dhe Turqia besoj që do ta gjejnë rrugën që të mirëkuptohen, dhe kjo do të jetë një e mirë e madhe për të gjithë Europën.

Presidenti Thaçi i ka akorduar presidentit amerikan, Donald Trump, një çmim. Një deputet norvegjez e ka propozuar Trumpin për Çmimin Nobel. A mendoni se e meriton ai këtë çmim?

Këtë e di komisioni i Çmimit Nobel, unë mendoj që nuk më takon mua të përcaktoj rezultatin e gjithë analizës që do të bëjë komisioni i Çmimit Nobel. /DW
 


“Më duket sikur kam dy vite këtu”, Ambasadori i ri italian: Të hapen negociatat

“Italia është gjithmonë në favor të hapjes së negociatave dhe po punon në Bruksel për të bindur skeptikët që Shqipërisë t’i hapen negociatat në mars”. Kjo ishte deklarata e ambasadorit të ri të Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci gjatë daljes së tij të parë pas marrjes së detyrës. Ambasadori Bucci vlerësoi marrjen e kryesimit të OSBE duke e theksuar 2020 si një vit të rëndësishëm për Shqipërinë, ndërsa shtoi se integrimi do të përmirësonte legjislacionin e Shqipërisë në shumë fusha.

“Ky është një vit i rëndësishëm për Shqipërinë, ka presidencën e OSBE dhe ne e kemi ndihmuar ta përballojë. Ne presim që në pranverë që të hapen negociatat për Shqipërinë. Italia është gjithmonë në favor të hapjes së negociatave. Ne po punojmë në Bruksel që në mars të marrim një vendim pozitiv për Shqipërisë. Nëse hapen negociatat do të ketë përmirësim legjislacioni të Shqipërisë , vendi futet në rregulla të reja. Ne e mbështesim Shqipërinë në përpjekjet e saj drejt integrimit”, tha Bucci.


Ambasadori italian foli gjatë tryezës së organizuar nga Asambleja e Përgjithshme e Konfindustrisë në Shqipëri duke theksuar lidhjen e fortë dhe marrëdhëniet e veçanta që i karakterizon dy vendet tona. Bucci tha se edhe pse ka vetëm pak kohë në Tiranë, ai ndihet sikur ka kaluar një kohë të mirë këtu falë dhe takimeve që ka zhvilluar deri më tani me qeverinë dhe presidentin. Në lidhje me zhvillimin ekonomik, Bucci tha se Italia është vendi që Shqipëria ka importet dhe eksportet më të mëdha.

“Kam dy javë që kam marrë detyrën dhe më duket sikur kam dy vite që jam këtu, pasi kam takuar dy herë me gjysmën e qeverisë dhe presidentin. Italia është e veçantë për Shqipërinë dhe anasjelltas. Na lidhin marrëdhëniet kulturore, gjeografike dhe historike. Rreth 130 sipërmarrje bëjnë pjesë në Shqipëri kemi veprimtari tepër të madhe në Shqipëri. Jemi vendi kryesor me të cilin Shqipëria ka import dhe eksport më të madh”, tha Bucci.

Fabrizio Bucci është ambasadori i ri i Italisë në Shqipëri ku zëvendëson ish ambasadorin Alberto Cutillo, i cili kishte qëndruar në këtë detyrë që prej nëntorit të 2015.


Negociatat, reflekton Macron: Dëshiroj të kemi unitet në samitin e Zagrebit

Gjatë një vizite zyrtare në Kroaci, Presidenti i Francës Emanuel Macron u shpreh “se dëshiron që Samiti i Zagrebit të jetë i suksesshëm”. Gjatë takimit me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkovic, Macron deklaroi se “ndante të njëjtin mendim që gjatë samitit të ardhshëm të liderëve të BE, të arrihet unitet për të mirën Evropës”. Por, Presidenti i Francës është shprehur se ndryshimi i mteodologjisë së procesit të negociatave është një parakusht për fillimin e negociatave me vendet kandidate.

“Unë do të doja të nënvizoja dëshirën e Francës që samiti në Zagreb të ishte një sukses. Unë i ndaj përpjekjet tuaja që samiti në Zagreb në maj të arrijë unitet. Ne presim që të kemi përfundime konkrete për metodologjinë e re të zgjerimit të cilën e kemi propozuar me qëllimin që të mos vazhdojë më të jetë burokratike por të sjellë përfitime konkrete për qytetarët e vendeve kandidate. Në ditët në vijim edhe komisioni do të japë rekomandimet mbi metodologjinë e re, ku do të bashkëngjiten edhe propozimet e vendeve të tjera anëtare”, tha Macron.


Në samitin e tetorit të kaluar, Franca, së bashku me Hollandën, bllokuan fillimin e negociatave të pranimit me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë. Kroacia, e cila mori presidencën gjashtëmujore të Këshillit të BE më 1 janar, dëshiron të zhbllokojë procesin sepse beson se për këto vende perspektiva europiane është e vetmja alternativë.  “Unë jam i kënaqur që Presidenti Macron shprehu optimizëm për suksesin e samitit të Zagrebit. Për ne, ky takim është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Është në interesin tonë që këto vende të jenë të qëndrueshme, të ndërmarrin reforma ekonomike dhe sociale”, tha kryeministri i Kroacisë, Plenkoviç.

Duke folur për çështjen e zgjerimit, ai tha se kishte biseduar me Macron për ndryshimin e metodologjisë së procesit të pranimit, të cilën Franca e konsideroi si parakusht për të filluar negociatat me Shkupin dhe Tiranën. Komisioni Evropian pritet të dalë këtë muaj me një propozim për të ndryshuar procesin e pranimit, dhe në shkurt të publikojë një raport shtesë për Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë.


Kryeministri i Kroacisë: Do të punojmë për të hapur negociatat me Shqipërinë

Kroacia do të angazhohet të për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, gjatë kryesimit të presidencës të saj të Bashkimit Europian. Ky është premtimi i dhënë nga Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviç, një ditë pasi vendi i tij mori kryesimin e BE.

“Ne do të përpiqemi të vijojmë përpjekjet tona para samitit, të urojmë dhe zhbllokojmë atë që, për fat të keq, nuk u vendos në tetor të 2019-s në Këshillin Evropian. Ne do të përpiqemi të gjejmë mënyrën e duhur për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Mali i Zi dhe Serbia janë tashmë duke negociuar, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore, të cilat duhet të fillojnë negociatat, së bashku me Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën, të cilat janë objektivat tanë në këtë moment.


Ekzistojnë katër shtylla themelore se si Kroacia e sheh kontributin e saj në aktivitetet e Unionit. Ne jemi në fillimin e një cikli të ri institucional, komisioni filloi punën e tij në 1 dhjetor, po ashtu edhe Presidenti i sapo zgjedhur i Këshillit. Ky kontekst i presidencës sonë është specifik. Prioritetet tona janë një Evropë në zhvillim, forcimi i ekonomisë, tregut të punës, konkurrencës. Ne do të përpiqemi të forcojmë dhe vazhdojmë politikën e kohezionit, e cila merr parasysh zhvillimin e barabartë të të gjithë anëtarëve të BE-së, veçanërisht ato më pak të zhvilluara” deklaroi ai.


Holanda kundër Shqipërisë, Rutte: S`jeni gati për negociatat

Kryeministri i Holandës Mark Rutte, në një intervistë për “Popjeda”, është shprehur se Shqipëria nuk është ende gati për hapjen e negociatave. Sipas Rutte, Maqedonia është më afër hapjes së negociatave. Ai deklaroi se Hollanda nuk është kundër zgjerimit të Bashkimit Europian.

“Ne nuk besojmë se Shqipëria është e gatshme të fillojë bisedimet me BE në këtë pikë dhe për sa i përket Maqedonisë Veriore, ajo është më afër këtij qëllimi,” tha Rutte.


Rutte konfirmon se disa vende të Bashkimit Europian nuk dëshirojnë ndarjen e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria në hapat e procesit të integrimit. Mark Rutte, i pyetur nëse viti 2025 ishte një afat realist për pranimin e një prej vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, Rutte është shprehur se data nuk është qëllim në vetevette.

“Unë nuk kam asnjë ide. Dhe ky nuk është një qëllim. Ne nuk kemi asgjë kundër zgjerimit të BE, por duhet të sigurohemi që të ndjekim rregullat dhe se gjithçka duhet të jetë e rreptë dhe e drejtë. Ky është gjithmonë pozicioni ynë”, përfundoi Rutte.

Hollanda së bashku me Francën dhe Danimarkën, ishin tre vendet e BE që dolën kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian. Franca vendosi veton duke pretenduar se BE-së së pari i duhet reformim i brendshëm, ndërsa Franca pretendon se vendet ende nuk i kanë plotësuar kushtet për integrimin në BE.


Merkel: Të krijojmë kushtet për negociatat me Shqipërinë

Kancelarja gjermane ka thënë në Zagreb se do të bisedojë me Francën për të krijuar kushtet për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Kancelarja gjermane Angela Merkel dëshiron konsensus sa më të shpejtë me Francën për reformimin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Këtë ajo e tha të mërkurën në Zagreb, pas një takimi me homologun e saj kroat, Andrej Plenkoviç. “I mbështesim planet e qeverisë kroate për të organizuar një konferencë të përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor në formatin e plotë Bashkimit Evropian. Dhe do të jetë e rëndësishme që ne të krijojmë kushtet  për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”


Duke pasur parasysh propozimin e ri të qeverisë franceze për reformimin e procesit të zgjerimit, kancelarja gjermane tha:

“Ne tani duhet të bisedojmë me Francën dhe këtë duhet ta bëjmë shumë intensivisht, për të saktësuar elementet që duhen përmirësuar , që duhen ndryshuar, në procesin e  zgjerimit. Jemi të gatshëm të bisedojmë, edhe pse qysh sot kemi një numër të madh mundësish për të qenë fleksibël,”

Merkel tha më tej se reformimi i zgjerimit “duhet t’u ofrojë vendeve të Ballkanit Perëndimor një perspektivë reale anëtarësimi”. Ajo paralajmëroi se reformimi nuk duhet të ketë si pasojë BE-ja të tërhiqet nga premtimet e bëra. 

Kancelarja gjermane ndodhet në Zagreb për të marrë pjesë në Kongresin e Partive Popullore të Evropës, duke përfaqësuar kryetaren e partisë së vet, Annegret Kramp-Karrenbauer, e cila është duke përgatitur kongresin e CDU-së, që do të zhvillohet të premten, 22.11. në Lajpcig.

Kroacia do të jetë kryetare e radhës e BE-së në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, ndërsa Gjermania në gjysmën e dytë. Të dy vendet janë mbështetës të fuqishëm të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE./DW/


Negociatat, mbrohen francezët: Zgjerimi s’i ndalon ndikimet e huaja

Sekretarja franceze e Shtetit për Europën, Amelie de Montchalin hodhi poshtë mundësinë se bllokimi i zgjerimit të BE do të rrisë ndikimin e influencave të huaja në rajonin e Ballkanit. Gjatë një vizite në Zagreb, Montchalin tha se zgjerimi nuk do i ndalonte ndikimet e huaja, duke i cilësuar të padrejta akuzat se bllokimi i negociatave mund të rrisë fuqinë e Rusisë, kinës dhe Turqisë në Ballkan. Ajo tha se Franca nuk po dyshon në perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, por kërkon që kjo të zhvillohet në një proces të dobishëm dhe të ketë siguri për rezultate të mira.

“Franca nuk po vë në dyshim perspektivën e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor, por dëshiron të jetë e sigurt për kushtet për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit që janë përmbushur dhe se vetë procesi dëshmon të jetë i dobishëm, me rezultate të mira të dukshme në terren sa më shpejt. Sovraniteti gjithashtu do të thotë të jesh në gjendje të veprojmë së bashku. Ndikimet e huaja ndodhin gjatë gjithë kohës, përfshirë tani. Dhe ato gjithashtu ndodhin në vendet e BE-së dhe procesi i zgjerimit nuk do të ndalojë ato ndikime, ato nuk do të zhduken” tha Montchalin.



Negociatat, Rama mesazh BE: Vendim i verbër, do mundohemi të shmangin pasojat

Kryeministri Edi Rama foli nga gjatë Forumit të Davosit për Dialogun Strategjik mbi Ballkanin Perëndimor. Duke folur për mos hapjen e negociatave në tetor nga Këshilli i Europës, Rama u shpreh se vendimi i vendeve të Bashkimit Europian është bërë i parashikueshëm. Sipas tij, vendet aspirantë tani e kanë të vështirë se çfarë duhet të bëjnë apo të mos bëjnë për të marrë atë që kërkojnë.

“Në këtë moment, vërtetë që ndihemi si një varkë në mes të detit, pasi na e kanë marrë me forcë busullën. Është shumë e qartë që, nëse procesi i integrimit europian është karakterizuar në 5-6 vitet e fundit, të paktën, nga gjithmonë e më shumë paparashikueshmëri, ajo që ndodhi në tetor e bëri plotësisht të paparashikueshme. Ndërsa flasim, nuk kemi më mundësi të dimë se çfarë duhet të bëjmë për të marrë atë që kërkojmë, pasi është e qartë që natyra e vendimeve në Këshillin Europian është shumë më e përcaktuar nga vetë vendet anëtare të BE-së, sesa nga çfarë bëjmë, apo nuk bëjmë ne. Përcaktohet shumë më shumë nga sesi ata duan të jetë, apo të mos jetë BE-ja, sesa nga çfarë duan që të bëjmë, apo të mos bëjmë ne”, tha Rama.


Më tej, Kryeministri Rama pranoi që vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë gati për anëtarësim. Por sipas tij, mungesa e kapacitetit për të nxjerrë vendime konsensuale nga BE, nuk i sjell asnjë të mirë asaj. “Sigurisht, vendet tona nuk janë gati të anëtarësohen, prandaj, nëse loja e “meritokracisë” shndërrohet në “lojën e fajësimit”, sa herë që mungon kapaciteti për të nxjerrë një vendim konsensual, kjo gjë nuk i sjell asnjë të mirë BE-së dhe procesit”, tha Rama. Ai shtoi se nisja e këtij procesi, ka ardhur jo si detyrim nga Brukseli, Berlini apo Parisi, por sepse është ajo që i duhet popullit shqiptar.

“Ne nuk e nisëm këtë proces sepse dikush në Berlin, në Paris, apo në Bruksel na detyroi, por e nisëm sepse ishte saktësisht ajo që i duhej popullit tonë, kombit tonë e fëmijëve tanë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë për ta”, tha Kryeministri. Ndërkohë, ndonëse nuk e përmendi mini-Schengenin Ballkanik, por dhe ndërhyrjet e huaja në rajon, Rama u shpreh se do të bëhet më e mira për të arritur bashkëpunim rajonal, pr edhe për të shmangur pasojat negative të mos pasjes së një vendimi nga BE për negociatat me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Megjithatë ne e dimë edhe që rajoni ka shumë potencial për të shfrytëzuar dhe ne do të bëjmë më të mirën tonë, duke rritur bashkëpunimin rajonal dhe duke bërë më të mirën tonë për të shmangur pasojat negative që sjell ky vendim i verbër, apo mosvendim i tetorit në opinionin publik apo në të ardhmen tonë”, tha Rama.

Në fund, Kryeministri Edi Rama u dërgoi dhe një mesazh vendeve skeptike të BE-së. Ai tha se Shqipëria nuk do të “lutet”, pasi ajo që po bën është për brezat dhe fëmijët shqiptarë, dhe jo për brezin aktual të liderëve të Europës. Ndërsa shtoi se BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor.

“Sigurisht, për Aleksandrin është më e thjeshtë, sepse, siç e tha, vendi i tij nuk është aq euro-optimist, por nuk mendoj se, meqë ne e kemi më të vështirë, duhet të qajmë, apo të lutemi sepse në fund të fundit e bëjmë për fëmijët dhe brezat e ardhshëm, jo për këtë brez të liderëve në Europë. E fundit, por jo për nga rëndësia, është absolutisht thelbësore ta themi që Bashkimi Europian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, apo Europën Juglindore, po aq sa Europa Juglindore ka nevojë për Bashkimin Europian. Ata që nuk e kuptojnë këtë nuk kuptojnë mirë çfarë është në lojë, apo cilat janë sfidat e sotme dhe të së ardhmes”, përfundoi fjalën e tij Rama.​/Realstory.al/


Sondazhi i Zaloshnjës: Vetoja e Francës, shkaku kryesor për negociatat

Nga Eduard Zaloshnja

Në 24 orët e fundit, zhivillova një sondazh elektronik, në serinë e sondazheve që zhvilloj për revistën Follow Business Albania. Pyetja kryesore që i dha përgjijge sondazhi ishte: “Mosçelja e negociatave të BE-së me Shqipërinë u shkaktua kryesisht nga vetoja e Francës për moszgjerimin e BE-së, apo nga rezultatet aktuale të Shqipërisë?”


Duke përdorur një model Logistic Regression, llogarita se sa ishte probabiliteti që secili i anketuar të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të zhvillohen ato. Dhe bazuar në rezultatet e modelit, ekstrapolova se rreth 1.65 milionë banorë aktualë të Shqipërisë e kanë mbi 50% probabilitetin e pjesëmarrjes në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të zhvillohen ato. Në Tabelën më poshtë paraqitet opinioni i tyre rreth pyetjes së mësipërme.

Opinioni i pjesëmarresve të mundshëm në zgjedhjet e ardhshme

Mosçelja e negociatave të BE-së me Shqipërinë

-u shkaktua kryesisht nga vetoja e Francës?

-për moszgjerimin e BE-së?

-apo nga situata aktuale e Shqipërisë?


A ia imponon dot Evropës Macron përfytyrimet e tij?

Emmanuel Macron e përjetoi si fyerje prestigji faktin që macronistja e fortë, Sylvie Goulard, të cilën ai e propozoi për Komisionin Evropian, u refuzua nga Parlamenti Evropian. Pasi shprehu habinë në publik (“dua të marr vesh, çfarë ndodhi?!”), Presidenti francez bëri përgjegjëse në të njëjtën frymë Ursula von der Leyen-in, kryetaren gjermane të Komisionit të ri Evropian. Ai tha se ajo nuk e mbajti fjalën. Por sipas investigimeve të medieve gjermane dhe evropiane, e vërteta nuk është kaq e thjeshtë.

Shkaqe për refuzimin e francezes


Shkaqet kanë të bëjnë, së pari, me kandidaten franceze vetë: para dy vjetësh Sylvie Goulard u detyrua të japë dorëheqjen si ministre e Mbrojtjes e Francës, për shkak të kritikës se kishte marrë pagesa për një punë fiktive. Nuk përjashtohet në parim mundësia që këtë çështje ta hetojë drejtësia franceze. E pyetur në njërin nga dëgjimit në Parlamentin Evropian se a do të jepte dorëheqje si Komisionere, po ta padisë për punën fiktive drejtësia franceze, Goulard kundërshtoi. Ky ishte njëri nga shkaqet që solli refuzim të gjerë për kandidaten e Macronit, citohen në mediat gjermane europarlamentarë të pranishëm në votim.

Së dyti, refuzimi ushqehet te bllokimi që i bëri Macroni kandidimit të gjermanit Manfred Weber, për kryetar të Komisionit Evropian. Weberi, që në Parlamentin Evropian kryeson grupin më të madh parlamentar, atë të Partive Popullore Evropiane bëri fushatë në zgjedhet evropiane dhe u propozua nga parlamentarët për këtë post.

Por Macroni nguli këmbë që Weberi nuk e paraqet dot si duhet Evropën në parketet diplomatike. Revista gjermane “Der Spiegel” shkruan se Weberi kishte kështu arsye të mos e ndihmonte, kandidaten me probleme të Macronit.

Veç Weberit, kritik ndaj kandidates së Macronit qenë eurodeputetë lindorë, një pjesë e të cilëve janë bërë skeptikë ndaj Macronit, që kur ai do të afrohet me Rusinë.  Mediat gjermane shkruajnë edhe se aleatja e ngushtë e Manfred Weberit, Monika Hohlmeier (e bija e ish-kryeministrit bavarez Franc Jozef Shtraus), gjithashtu e kundërshtoi francezen. Kur refuzuam hungarezin dhe rumunen për konflikt të mundshëm interesash, pse duhet të lejojmë francezen? citohet Hohlmeier.

Pse nuk e bindi Gjermania Weberin?

Sipas medieve duket se von der Leyen-i nuk e ka plotësisht nën ndikim Manfred Weber-in. Ka politikanë që edhe e kuptojnë hidhërimin e tij për refuzimin nga Franca. Refuzimi i Weberit nga Macroni qe një sfidë publike franceze edhe për Gjermaninë. (Këtë Berlini atëherë e gëlltiti edhe duke kujtuar miratimin e ardhshëm të buxhetit të BE: Gjermania duhet të paguajë pas Brexitit miliarda euro më shumë në këtë buxhet dhe kërkon rabat, kurse Franca është kundërshtarja kryesore për këtë).

Megjithë këtë: sipas Spiegel-it, von der Leyen-i u interesua për gjendjen para votimit te Manfred Weberi. Dhe ai e siguroi që francezja do të trajtohet me korrektësi. Fakt është që francezja Goulard u kundërshtua nga gati të gjitha grupet parlamentare në Parlamentin Evropian. Mori 82 vota kundër dhe vetëm 29 vota pro, me një abstenim.

A vazhdon revoltimi i Macronit me Gjermaninë?

Pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE, në BE ka vetëm një shtet të fuqishëm mjaft, sa të bëhet kundërpeshë ndaj Gjermanisë: Franca. Është me interes të shihet, ku do ta verë në të ardhmen pikërëndesën Macroni: te kundërpesha ndaj Gjermanisë apo te aleanca me fqinjin e fuqishëm.

Si politikan realist, Emmanuel Macroni nuk duhet të jetë vërtet i zemëruar me Gjermaninë. Pasi e di se pa Gjermaninë nuk e miraton dot në Parlamentin Evropian as Komisionerin e ri francez.

Për çdo eventualitet, Macroni merr masa: kështu ai bllokoi në samitin e fundit të BE projektin e mbrojtur qartësisht nga Gjermania dhe shumica e shteteve të BE: nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Natyrisht, tek shtetet ballkanike, problemet nuk duhet t’i kërkosh me lupë. Por Macronit i duhet Gjermania (e aleatë të tjerë), për miratimin në Parlamentin Evropian të kandidaturës së re franceze për Komisionin: i duhet megjithatë me një angazhim më efektiv pro tij.

Kjo pasi Macroni nuk ka bazë të gjerë mbështetje në Parlamentin Evropian. Lëvizja e tij është pjesë e grupimit liberal, që nuk është njëri ndër dy grupet e mëdha.

Parlamenti Evropian tregon pak simpati për Macronin.  Parlamentarët i dhanë atij një shuplakë një herë, me refuzimin e kandidates së tij Goulard. Ndoshta edhe për t’i treguar se nuk e pranojnë një lloj mospërfilljeje, që duket se ai ka ndaj tyre.  Por refuzimin ata mund ta përsërisin, edhe me kandidatin e ri të tij për Komisioner.

A pritet mosrespektim nga Parlamenti Evropian edhe i vullneteve të Gjermanisë e të Francës si shtete?

Eurodeputetët gjermanë janë në numër shumë të madh në Parlamentin Evropian. Megjithatë kjo nuk përjashtohet. Pas zgjedhjeve evropiane, Parlamenti Evropian është fragmentarizuar politikisht. Konservatorët në partitë popullore dhe socialistët janë ende grupet më të mëdha, por miratimet nuk janë më thjesht punë teknike.  Shumicat e votave duhen siguruar me shumë punë bindëse. Këtë punë zakonisht e bëjnë kryetarët e grupeve më të mëdha parlamentare.

Macroni e quajti të natyrshme të refuzojë në samitin e BE nisjen e negociatave me dy shtete të vogla ballkanike – edhe nga droja prej emocioneve të populistëve në Francë. Parlamenti Evropian e quajti të natyrshme të refuzojë pas dy dëgjimeve kandidaten e tij – që Macroni t’i marrë seriozisht emocionet e të gjithë parlamentarëve./ DW


Skip to toolbar